Gjermania, pro hapjes me kushte të negociatave

799
0

Grupi më i madh politik në Bundestaakun Gjerman, CDU/CSU votoi sot rezolutën për Shqipërinë ku kërkoi plotësimin e 9 kushteve si edhe dialog për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në vend.

“Nuk do të ketë proces negociatash për Shqipërinë, pa plotësuar 9 kushtet kryesore”, sqarohet në rezolutën që votoi pro hapjes me kushte të procesit të negociatave mes BE dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Bundestagu evidentoi se e përcjell me shqetësim krizën politike në Shqipëri duke e quajtur atë të rëndë.

Deputetët e Bundestagut gjerman, kërkojnë nga qeveria federale që para se të fillojë konferenca e dytë e anëtarësimit, pra para se të hapen dy kapitujt e parë të procesit të negociatave, të ketë konstatuar përmbushjen e këtyre kushteve nga ana e Shqipërisë:

– zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore

– fillim i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët në procesin e Vetting-ut janë akuzuar për sjellje të dënueshme penalisht.

– fillimi i procedurave nga prokuroria dhe eventualisht gjyqësori kundër atyre që kanë pasur lidhje me blerjen e votave si dhe ecuri serioze dhe të shpejtë të proceseve.

– ngritja e strukturës speciale për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vënia në punë e saj.

– suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen përfundimin e proceseve të para gjyqësore kundër zyrtarëve dhe politikanëve të rangut të lartë.” Këtu hyjnë hetime pro-aktive, eventualisht ndjekje dhe dënime penale në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në dokument.

– përparime të prekshme në reformën administrative, duke përfshirë verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke mbajtur parasysh edhe kritikat për parregullsi.

– një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Nëse vendoset mbajta e zgjedhjeve të reja lokale, ato duhet të bëhen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor.

Sipas burimeve të para nga qarqet e CDU/CSU , dokumenti u miratua me shumicë të madhe votash. Vetëm 28 deputetë kishin qenë kundër, katër abstenuan, nga 246 deputetë që ka gjithsej grupi parlamentar më i madh në Gjermani. Grupi parlamentar socialdemokrat e kishte miratuar më parë të njëjtin dokument me shumicë të madhe votash.

Të enjten në mbrëmje dokumenti pritet të miratohet në Bundestag pas një debati 45 minutash. E vetmja parti që pritet të jetë kundër çeljes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor është grupi parlamentar opozitar i Alternativës për Gjermaninë (AfD). Partitë e tjera opozitare, Të Gjelbrit, dhe liberalët e FDP-së pritet të thonë po, ndërsa e Majta është ende e lëkundur, por anon nga po-ja.

Deputetët gjermanë evidentuan se sipas tyre “Shqipëria është në një krizë të rëndë politike”.

“Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”, – thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.

Po ashtu nënvizohet se “do të ketë një proces me dy faza ku Shqipëria do të vlerësohet përpara konferencës së parë të zgjerimit e cila parashikohet të mbahet në janar nëqoftëse ka plotësuar kushtet afat-shkurtra. Vetëm nëse Shqipëria i ka plotësuar këto kushte, atëherë do të ketë një diskutim në konferencën e parë të zgjerimit për të vendosur nëqoftëse do të procedohet me hapjen e negociatave”.