Moti i pazakontë i shtatorit, flet meteorologia: Ja si do të jetë java e ardhshme

2960
0

Temperaturat e larta na kanë shoqëruar përgjatë gjithë muajit shtator, edhe pse kemi hyrë zyrtarisht në stinën e vjeshtës. Gjatë ditëve të fundit jemi përballur me temperatura nga 34-35 gradë Celsius, temperatura jo normale për këtë periudhë.

Meteorologia, Lajda Porja tha për Report Tv se ditën e enjte pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave dhe reshje shiu.

 “Pritet që vranësirat të jenë të pranishme duke filluar që sonte gjatë natës duke rrezikuar rrebeshe shiu kryesish në ekstremin verior. Parashikohet që dita e nesërme të sjellë vranësira pothuajse në të gjithë territorin dhe i gjithë territori në orë të caktuara parashikohet të rrezikohet nga reshje shiu. Shirat do jenë kryesish rrebeshe dhe herë pas here dhe në formë shtrëngatash. Kjo situatë atmosferike do të vijë duke u përmirësuar në pasditen e ditës së premte. Pritet që dita e nesërme të sjellë një rënie goxha të ndjeshme të temperaturave, ku maksimalja në rang territori do jetë në vlerën jo më shumë se 29 apo 30 gradë Celsius”- u shpreh meteorologia.

Sipas meteorologes, shtatori do të mbyllet një muaj i nxehtë, me temperatura që arrijnë në 32-33 gradë Celsius.

 “Parashikohet që pas të hënës dhe të martës të javës tjetër të kemi sërish përmirësim të kushteve atmosferike. Do kemi mot kryesish të kthjellët që do na shoqërojë deri në fundin e muaji dhe me një rritje te lehtë dhe  graduale të vlerave termike duke i çuar këto temperatura në vlerën 32 apo 33 gradë Celsius”-tha Porja

Ndonëse jemi në stinën e vjeshtës, qytetarët do të duhet të përballen edhe për disa kohë me nxehtësinë dhe temperaturat e larta.