Asnjë autobot nuk ka mundur të furnizohet me ujë nga linja e transmetimit të UKT, në zonën e Linzës. Burime pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë me dije se kanë ndërmarrë një aksion për të mos lejuar shitjen e ujit këtyre subjekteve, pasi ata e keqpërdornin.
Televizioni Klan konstatoi dy ditë më parë se pronarët e këtyre autoboteve, pasi e blinin ujin e patrajtuar nga Ujësjellësi për përdorim higjienosanitar, e shisnin tek qytetarët si të pijshëm.
Ndërmarrja e Ujësjellësit deklaroi se nuk jep asnjë garanci për ujin që konsumohet, pasi blihet nga këto autobotë, ndërsa siguroi qytetarët se edhe në bazë të analizave, uji i sigurt për t’u konsumuar është ai që vjen direkt në çezmat e tyre.
Në kryeqytet janë mbi 100 autobotë, të cilët shesin ujë me një vlerë nga 30 deri në 50 Leke për një bidon, 4 deri në 10 litra.