Keto jane 100 shqiptarët më popullorë ne rrejtet sociale

895
0

Shumica e shqiptareve, midis njerëzve të grupmoshave të ndryshme, nga adoleshentë tek 70-vjeçarët, ka akses në rrjetet sociale dhe kryesisht në facebook. Ka pak njerëz të moshës madhore në Shqipëri, që nuk e kanë një profil në facebook, e aty gjejnë informacione nga më të ndryshmet që iu vijnë nga politikani më i rëndësishëm e deri te “VIP-i” më pak i ndjekur në rrjetet sociale.

Nga 2911000 njerëz që banojnë në Shqipëri, 1932024 janë përdorues të rregullt të internetit dhe nga këta 1400000 kanë një profil të hapur në Facebook . Rrjeti i dytë më i ndjekur ishte Instagrami, me gati gjysmën e personave që gjenden në Facebook, 680.000 dhe më pas vjen Twitter dhe rrjetet e tjera.

Politikanë, gazetarë, artistë e figura të tjera publike s’e kanë pasur kurrë më parë më të lehtë komunikimin me audiencën e tyre. Kurrë më parë nuk e kanë pasur më të lehtë për të kuptuar se sa pëlqehen dhe prej cilës kategori të shoqërisë pëlqehen. Janë rrjetet sociale që e garantojnë këtë për këdo.

Kanë ndryshuar kaq shumë kohët. Dikur gjithçka merrej vesh kryesisht përmes mediave të shkruara sepse edhe mediat vizive ishin të kufizuara. Jo më shumë se 10-15 vjet më parë, lajmet mbërrinin tek audienca përmes gazetave dhe televizioneve të pakta që ekzistonin. Gjithçka duhej kërkuar për të hulumtuar se sa ndiqen në publik kërkohej përmes tirazhit të gazetave. Tani është kaq e thjeshtë dhe pa kosto.

Shqipëria e pasqyruar përmes një këndvështrimi analitik online, është thelbi i një studimi të kryer nga departamenti i Komunikimit në Universitetin Evropian të Tiranës. Studimi i kryer nga pedagogët Irena Myzeqari, Lorena Licenji, Albana Nexhipi dhe Alket Braho, sjell të dhëna mjaft interesante sa u përket profileve publike më të ndjekura në vend. Ermal Mamaqi është i preferuari i shqiptarëve. Me më shumë se 2 milionë pëlqime ai lë pas në renditje emra si Edi Rama, Sali Berisha e Bleona Qerreti, të gjithë figura të dashura për publikun shqiptar, duke u bazuar te like-t.

Ka një klasifikim të personave më të pëlqyer në katër kategori. Politikanë, ku janë studiuar vetëm politikanë. E dyta është Individuum, ku janë renditur Gazetarë, opinionistë, liderë fetarë apo edhe studiues e akademikë. E treta është Art-Sport, ku janë renditur artistë e sportistë. E katërta, Entertainment, ku përfshihen ata persona që shquhen apo janë të famshëm “pa asnjë arsye”.

 

Rrjeti më i përdorur

Kriteri parësor i përdorur për të identifikuar sa më saktë kampionin kërkimor ishte përqindja e popullsisë shqiptare në Internet dhe cilin rrjet ata përdornin më shumë. Nga të dhënat statistikore që vetë Google përpunon, rezulton se nga 2911000 njerëz që banojnë në Shqipëri, 1932024 janë përdorues të rregullt të Internetit dhe, nga këta 1400000 kanë një profil të hapur në Facebook[1]. Më pas renditeshin Twitter dhe Instagrami, ky i fundit me 680.000 persona të regjistruar. Pra, nisur nga statistikat, duket qartë që për të rrekur Shqipërinë Online, Facebook është vendi nga duhet të fillojmë kërkimin. Në grafikun vijues jepen të dhëna mbi numrin e përdoruesve të Internetit në Shqipëri nga viti 2000 deri në 2017 dhe siç shihet, tendenca është gjithmonë në rritje.

Statistika të Internetit dhe përdorimit të Facebook në Europë

EUROPA Popullata Përdoruesit e Internetit Penetrimi Përdorues % Facebook
Shqipëria 2,911,428 1,932,024 66.40% 0.30% 1,400,000

Përdorimi i Facebook deri në Qershor 2017

Burimi. http://www.internetworldstats.com/stats4.htm#europe

Numri i Like-ve

Duke përdorur motorët e kërkimit “Social Bakers” dhe “Quintly”, kombinuar edhe me kërkimin manual, është bërë e mundur të evidentohen se cilat janë profilet më të ndjekura në Facebook, bazuar te numri i pëlqimeve dhe jo i ndjekësve që ata kanë në faqen e tyre; ndërkaq përbri çdo emri të identifikuar janë vendosur edhe numri i like-ve në Instagram dhe Twitter për të parë nëse të njëjtat personazhe ishin po aq aktivë edhe në këto dy rrjete.

Kategoritë

Shumëllojshmëria e profileve që krijohen në Internet është njëkohësisht vlerë e shtuar, por edhe pengesë në kësi lloj studimesh ku kategorizimi nënkupton ndarjen e profileve më të ndjekura dhe grupimin me të ngjashmit e tyre. Duke u nisur edhe nga studimet e bëra jashtë vendit nga revista prestigjioze por edhe sugjerimet që japin motorët e kërkimit përmendur më sipër, profilet e listuara u grupuan në katër kategori kryesore: Politikanë; Individualitete; Art-Sport dhe Entertainment. Vlen për t’u theksuar se këto kategori janë thjesht orientuese dhe mund të ketë vend për diskutim, nëse një profil i përket vetëm kategorisë ku është vendosur apo mund t’i përkasë edhe ndonjë tjetre.

Individualitete në Shqipëri

Ky studim kërkonte Shqipërinë online. Thënë kjo, janë lënë jashtë një sërë personazhesh të cilët jenë shumë të pëlqyer por që vijnë nga treva të tjera shqipfolëse. Ky kriter është më tepër kufizues sepse nxjerr në pah një prej kufizimeve të studimit që lidhet me mosfokusimin te verifikimi i like-ve nga Shqipëria dhe së dyti, se cilat janë reale, të blera ose fake. E fundit por jo më pak e rëndësishme është se kërkimi u bazua te profilet e njerëzve, jo faqeve më të ndjekura, faqeve të emisioneve apo blogjeve të tyre.

100 profilet më të pëlqyera në Shqipëri

Me një kërkim të thjeshtë në Google se kush janë personat më të pëlqyer në rrjetet sociale, do të dalin një listë e gjatë artikujsh të cilat paraqesin të dhëna mbi fytyrat më të preferuara në mbarë botën. Revista prestigjioze si Times apo edhe Forbes nxjerrin prej disa vitesh radhazi listën e personave më të pëlqyer në rrjetet sociale, duke i shtuar vit pas viti edhe kritere të tjera si ndikimi që kanë këto personazhe në hapësirën publike, aftësinë e tyre për të bërë lajm apo edhe paratë që fitojnë nga përdorimi i këtyre rrjeteve. Përveçse kuriozitet i thjeshtë për të kuptuar se kush është më “i lajkosuri”, këto artikuj, në bazë të disa koncepteve operacionale, mundohen të kuptojnë arsyet dhe modelet që këta persona ofrojnë për ndjekësit e tyre.

Nisur nga e njëjta logjikë ky studim, i realizuar gjatë periudhës gusht–shtator, ka mbledhur të dhëna mbi personat më të pëlqyer në rrjetet sociale në Shqipëri. Bazuar në kriteret shkencore të përmendura më sipër, hallka e parë e studimit përfshinte evidentimin dhe nxjerrjen e të gjithë personave me numrin më të lartë të pëlqimeve në Facebook. Pas shquarjes, hapi i dytë ishte të analizoheshin personazhet se në cilat kategori bënin pjesë dhe së fundmi, renditja e tyre nga personi më i pëlqyer tek ai më pak i pëlqyer, duke e ndalur numërimin te 25, shifër e cila përmbyllte edhe klasifikimin për secilën nga kategoritë.

Politika

Politikanët sot janë në garë të hapur për të pasur profilin më të ndjekur online. Përveçse një mënyrë për t’i shpënë sa më pranë votuesve apo pasjes së një hapësire ku reklamimi dhe mesazhet politike shpërndahen me kosto zero, feedback-u i vazhdueshëm që marrin nga komentet nëpër postime apo shpërndarja e materialeve që postojnë, u jep atyre të dhëna në kohë reale mbi interesin e publikut dhe reagimin e tij, reagime të cilat bëhen më pas baza mbi të cilën ata projektojnë lëvizjen politike të radhës.

Politikanët shqiptarë i kanë mësuar shumë shpejt “hilet” e këtij komunikimi dhe dita-ditës, nga fushata në fushatë, roli i rrjeteve sociale po bëhet vendimtar në përcaktimin e dinamikave të pushtetit sepse numri i lartë i pëlqimeve edhe pse nuk përkthehet direkt në vota popullore, mund të përcaktojë axhendën e një edicioni lajmesh, e programeve politike të mbrëmjes apo edhe ligjërimit publik në tërësi.

Edi Rama me 11244392 pëlqime, pasuar nga Sali Berisha me 1066951 pëlqime janë dy politikanët më të ndjekur të Shqipërisë online. Të dhënat për këtë kategori nuk janë aspak surprizë për këdo që jeton në Shqipëri, i cili edhe sikur të ishte në një terr informativ do t’i rrekte të paktën një herë veshin një status i kryeministrit apo një reagim nga ish- lideri i opozitës. “Loja komunikative” midis z. Rama dhe z. Berisha vazhdon të rrëmbejë vëmendjen e audiencës online dhe duket sikur virtualja dhe realja ushqejnë njëra–tjetrën; herë statusi në Facebook i Ramës ngacmon Berishën, duke zbritur betejën në ekranet televizive dhe faqet e shtypit e herë tjetër iu përgjigjen njëri–tjetrit një nga faqja personale e tjetri nga selia e partisë.
Politikë
Emër Mbiemër Facebook Instagram Twitter
1.Edi Rama 1124392 135k 307k
2.Sali Berisha 1066951
3.Lulzim Basha 582210 31.8k 37.4k
4.Erion Veliaj 425771 127k 141k
5.Koço Kokëdhima 330378 1.4k 322
6.Keti Bazhdari 228490 42.6 k 3.7k
7.Edmond Panariti 206678 1.1k
8.Grida Duma 141921 8.1k
9.Tom Doshi 94444 336 258
10.Halim Kosova 90113 771
11.Majlinda Bregu 79738 40.6k 54
12.Kreshnik Spahiu 71156
13.Taulant Balla 71045 3.6k
14.Ditmir Bushati 68331
15.Elisa Spiropali 67796 5.6k 9.3k
16.Saimir Tahiri 67298 12.7k 11.7k
17.Monika Kryemadhi 64805 23.3k
18.Ben Blushi 64559 3.4k
19.Pandeli Majko 55058
20.Shpëtim Idrizi 52761 611
21.Eduart Ndocaj 49118 4.3k
22.Mimi Kodheli 40537
23.Lindita Nikolla 39901
24.Niko Peleshi 39408
25.Mesila Doda 37146 3.5k

Edhe pse jo me të njëjtin përqendrim apo kaq të ndarë në frontet e tyre, lista e politikanëve më të ndjekur vijon me emra të tjerë të politikës shqiptare, si Lulzim Basha, Erion Veliaj, Koço Kokëdhima, ndërkohë që në 10-shen e parë gjenden edhe emra, rëndësia politike e të cilëve ka qenë shumë fragmentare në hapësirën tradicionale por që renditen shumë mirë kur flitet për hapësirën virtuale, siç është rasti i Keti Bazhdarit apo Edmond Panaritit. Lista përmbyllet me Mesila Doden, e cila ka 37146 pëlqime në Facebook.

Aktiviteti në dy rrjetet e tjera sociale të marra në analizë duket të jetë më i ulët për pjesën më të madhe të politikanëve me përjashtim të Edi Ramës, i cili mundohet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për komunikim që i japin Instagrami edhe Tëitter-i.

Individualitete

Në gjueti të personave më të pëlqyer në gazetari, opinionbërje dhe media u vu re një fenomen interesant; një shumësi zërash të pakategorizuarish! Gazetarë, opinionistë, liderë fetarë apo edhe studiues e akademikë, të cilët nuk kishin të tjerë të ngjashëm të suksesshëm sa ata “ në rrëmbimin” e like-ve, por që të gjithë së bashku legjitimonin degë alternative të ligjërimit të Shqipërisë Online. Përveç emrave të njohur të medias tradicionale si Blendi Fevziu, i cili rezulton i shtati në listën e më të pëlqyerve në këtë kategori, me 92609 pëlqime, motorët e kërkimit evidentonin si më të pëlqyerit Eni Çobanin me 137382, Elhaid Cufi dhe Artan Mullai që renditen në 10-shen e parë të kësaj kategorie, ndërsa në vend të parë u rendit Elvis Naçi me 406114 pëlqime.
Individualitete
Emër Mbiemër Facebook Instagram Twitter
1.Elvis Naci 406114
2.Olti Curri 232879 137k 144
3.Blendi Salaj 198308 12.8k 7.0k
4.Artan Mullaj 174751 8.6k 67
5.Eni Çobani 137382 124k
6.Ahmet Kalaja 113276
7.Blendi Fevziu 92609 115k 142k
8.Artan Fuga 75595 425
9.Elhaid Cufi 74225 85.4k
10.Bujar Kapexhiu 70535
11.Bledi Mane 38466 1.7k 3.2k
12.Meri Shehu 34529
13.Kastriot Myftaraj 33698
14.Akil Pano 30331
15.Erion Kristo 22288 3.5k 119
16.Arben Duka 16503
17.Enkel Demi 14161
18.Fatos Lubonja 12944 681
19.Lutfi Dervishi 12187 1.5k 11.7k
20.Dritan Hila 11571 2.3k
21.Bledian Koka 11319
22.Rudina Xhunga 10631
23.Edi Oga 9894
24.Ermal Hasimja 9485 1.8k 188
25.Gjovalin Shkurtaj 7472 301 174

“Mistrecët” e medias tradicionale si Bledi Mane, Kastriot Myftaraj apo edhe kritiku i përjetshëm Fatos Lubonja kanë një numër të ulët pëlqimesh, nëse marrim në konsideratë që ata përpiqen të sjellin përherë në debatin publik këndvështrime të ndryshme nga ato zyrtare.

Art–Sport

Nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë sesa sot për një figurë publike, këngëtar apo sportist të masë suksesin e tij. Nëse vite më parë fansat e një rrokstari mateshin nga shitjet e albumeve të tij apo pjesëmarrjes në koncerte, artistët e sotëm nëpërmjet mundësive që u jep Interneti dhe rrjetet sociale, mund të matin në kohë reale popullaritetin e vet në bazë të pëlqimeve që marrin në faqet e tyre, numrat e të cilave jo vetëm i ndihmojnë të dalin në krye të klasifikimeve të tilla, por edhe ta kthejnë faqen personale në një biznes fitimprurës, falë kompanive që kërkojnë të reklamojnë dhe shesin përmes imazhit të tyre.

Më pak i pëlqyeri i kësaj kategorie është Bekim Balaj me 73525 pëlqime, ndërsa vendin e parë e mban këngëtarja Bleona Qerreti me pothuajse 1 milion pëlqime. Listën e vijojnë këngëtarë si Alban Skënderaj, Elvana Gjata, Enca dhe i fundit i 10-shes më të mirë është futbollisti i kombëtares së futbollit, Mërgim Mavraj me 502162 pëlqime. Ndërkohë në listë nuk mungojnë edhe këngëtarë apo artistë si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu apo Kledi Kadiu, të cilët edhe pse me famë ndërkombëtare, gjenden të pozicionuar më poshtë në klasifikim.
Art-Sport
Emër Mbiemër Facebook Instagram Twitter
1.Bleona Qerreti 965565 359k 136k
2.Alban Skenderaj 931199 259k 2.4k
3.Elvana Gjata 925134 858k 218k
4.Xhensila Myrtezaj 886363 756k 1.8k
5.Eni Koci 741487 418k 134k
6.Aurela Gace 718879 207k 6.8k
7.Enca 609305 1.5m 1.3m
8.Miriam Cani 587675 276k 22k
9.Lorik Cana 549185 313k 7.4k
10.Mergim Mavraj 502162 139k 850
11.Greta Koci 481100 416k 1.1k
12.Flori Mumajesi 375770 372k 42.2k
13.Besa Kokedhima 344605 140k 20.3k
14.Elhaida Dani 323264 74.4k 12.8k
15.Stresi 234180 11.3k
16.Ermonela Jaho 226393 6k 6.8k
17.Claydee Lupa 207945 40.7k 28.8k
18.Anjeza Branka 191986 129k
19.Revolt Klan 177401 46k
20.Saimir Pirgu 138686 3.1k 3.4k
21.Sinan Hoxha 131453 157k 351
22.Kledi Kadiu 90149 208k 48.6k
23.Etrit Berisha 79635 82.5k 7.3k
24.Armando Sadiku 77474 168k 389
25.Bekim Balaj 73525 99.9k 870

Entertainment

Nga një (Guten) Berg te tjetri, (Zucker) Berg, bota nuk është më e njëjta. Në fillim ishte libri, gjuha, ndërsa sot duket sikur makina e kohës është kthyer mbrapsht në epokën e imazhit si element kryesor komunikativ. Kjo sëmundje ka kapluar më shumë se këdo Internetin dhe rrjetet sociale të cilat shihen sot si një pasarelë ku parakalojnë të gjitha format dhe ngjyrat, duke lënë shumë pak vend për tekstin dhe përmbajtjen. Instagrami dhe Facebook janë kthyer në fabrika të personazheve të cilët janë bërë botërisht të famshëm “pa asnjë arsye”; mjafton të përmendim këtu fenomenin Kim Kardashian dhe familja e saj apo edhe shumë të tjerë, të cilët sot cilësohen si personat më të klikuar nëpër rrjetet sociale.

Kultura e imazhit duket të jetë po aq prezente edhe në Shqipërinë Online dhe zbavitja është kthyer në kryefjalën e ditës të të gjitha faqeve dhe personazheve që bëjnë pjesë në këtë kategori. Edhe në studime të tjera që janë bërë për median sociale në Shqipëri, faqja më e pëlqyer nga shumica e shqiptarëve është ajo e Ermal Mamaqit, i cili ka edhe numrin më të lartë të pëlqimeve në të 4 kategoritë, me më shumë se 2 milionë pëlqime. Klasifikimi vazhdon me emra të tjerë si Luana Vjolla, Angela Martini, humoristë si Bes Kallaku, shoë man si Ardit Gjebrea etj., ndërkohë që një zë i rëndësishëm për këtë kategori janë edhe të ashtuquajturat fashionistet më të njohura të Shqipërisë online si Lori Hoxha, Armina Mevlani apo Jonida Maliqi. Vlen për t’u theksuar se personazhet e listuara në këtë kategori janë edhe përdoruesit më të rregullt të Instagramit, duke qenë se mënyra kryesore e komunikimit të tyre me audiencat përkatëse janë fotot.
Entertainment
Emër Mbiemër Facebook Instagram Twitter
1.Ermal Mamaqi 2067285 719k 2.3k
2.Luana Vjollca 840466 859k 15.9k
3.Angela Martini 835967 352k 53.7k
4.Bes Kallaku 598887 476k 401
5.Alketa Vejsiu 286320 309k 1.0k
6.Julian Deda 280889 180k 371
7.Ardit Gjebrea 274856 306k 1.1k
8.Marina Vjollca 221457 792k 1.6k
9.Eva Murati 169607 110k
10.Rudina Magjistari 166653 158k 5.1k
11.Albano Bogdo 137117 60k
12.Klea Huta 122266 130k
13.Elvis Pupa 122223 57.9k 139
14.Armina Mevlani 119351 607k 135
15.Jonida Maliqi 113900 323k
16.Lori Hoxha 112738 465k 2.1k
17.Turjan Hyska 99377 40.3k 542
18.Klaudia Pepa 97672 530k 5.7k
19.Amarda Toska 84379 256k 951
20.Albana Osmani 70467 326k 15.4k
21.Valbona Selimllari 70367
22.Ilda Bejleri 64859 267k 315
23.Vera Grabocka 59859 82.7k
24.Orinda Huta 40826 104k 808
25.Florjana Garo 33927

Shoqëria e spektaklit- reflektime

Ndoshta kulla e Babelit nuk ka për të përfunduar kurrë! Ndoshta jo për faj të Zotit, por të njerëzve, të cilët të shtyrë nga moskuptimi, iu futën garës për të shpikur mediume pa fund; librin, telegrafin, telefonin, radion, televizionin dhe së fundmi, internetin, të gjitha me një qëllim të vetëm, veprimin komunikativ me tjetrin. Pavarësisht kësaj gjërat nuk kanë ndryshuar shumë dhe moskuptimi është gjithmonë aty, si një hije në ligjërimet e pafundme që prodhon çdo shoqëri në këtë botë të ndërlidhur, të ndërvarur a të kacafytur me vetveten.

Nga të gjitha mediumet, interneti zgjoi shpresat e disave dhe drodhi leqet e këmbëve të të tjerëve. Dikush mendoi se do kishte më në fund zë për t’u shprehur, dikush u frikësua nga ikja e audiencës, dikush u hodh përpjetë prej kostove zero e dikush fluturoi se gjeti hapësirën për talentet e veta. Hapësirë e lirë, utopike, ku njeriu gjen veten edhe e përdor atë për të mirën sociale e individuale!! Edhe siç ndodh gjithmonë me risitë, ngazëllimi u shua shpejt kur u pa se virtualja dhe realja ishin kopje të njëra- tjetrës dhe se teksti, imazhi dhe tingulli i logaritmeve nuk mund ta zhbënte menjëherë fuqinë e hapësirës tradicionale dhe frontet e betejës së secilit aktor komunikativ.

Realiteti praktik i kësaj përsiatjeje teorike është Shqipëria Online, ngjyrat edhe format e së cilës nuk dallojnë shumë nga ajo realja. Shqipëria Online gjendet më shumë në Facebook, frymon prej butonave like, share dhe comment, reagon prej zemrave dhe emoticon-ave që besojnë se shterojnë çdo ndjesi që mund të provojë njeriu.

Dhe kush janë më të pëlqyerit e Shqipërisë online? Janë 100! Politikanë, gazetarë, fashonistë, hoxhallarë apo humoristë, të gjithë në garë për një klikim më shumë. Ama klikimi i radhës nuk është rastësor, është përforcim. Rezultatet e studimit tregojnë se rrjetet sociale nuk shikohen si hapësirë alternative apo konkurrente e asaj tradicionale. Përkundrazi, ajo ka rol përforcues të bindjeve, sjelljeve apo personazheve që ne pëlqejmë e ndjekim në televizion.

Nga katër kategori me nga 25 më të pëlqyerit, 10-shja fituese që fillon me Ermal Mamaqin dhe mbaron me Eni Koçin, është pasqyra e Shqipërisë Online. Në një situatë hipotetike ku ne do të jetonim në Shqipërinë Online, 10 më të pëlqyerit do të ishin, një humorist, dy politikanë, pesë këngëtarë dhe dy modele. Pyetja që shtrohet është çfarë mund të mësonim ne prej tyre? Influencojnë ata zgjedhjet tona? Janë modele që ne mundohemi t’i imitojmë? Si gjithmonë midis PO-së dhe JO-së ka shumë dilema ama e vërteta më e madhe është “ndoshta”. Ndoshta ne jemi humori i Ermal Mamaqit, muzika e Eni Koçit, politika e Edi Ramës dhe Sali Berishës dhe bukuria e Luana Vjollcës. Ndoshta jemi shoqëri e zbavitjes dhe etaloni matës në shoqëri, ku kushtet moderne të prodhimit mbizotërojnë, gjithçka përjetohet si një akumulim gjigant dhe përsëritje spektakli.
Top Ten
1.Ermal Mamaqi 2067285
2.Edi Rama 1124392
3.Sali Berisha 1066951
4.Bleona Qerreti 965565
5.Alban Skenderaj 931199
6.Elvana Gjata 925134
7.Xhensila Myrtezaj 886363
8.Luana Vjollca 840466
9.Angela Martini 835967
10.Eni Koci 741487

Nga Luljeta Progni, Revista Mapo