Sa herë fillon një sezon i ri televiziv, Arbana Osmani ka të njëjtin “stress”, me të njëjtën pyetje nga fansat “A do të ketë Big Brother?”, “Kur do të fillojë Big Brother?”, “A do të jesh ti prezantuesja?”.
Në fakt, edhe këtë sezon të ri, moderatorja e njohur e ekranit do të vijojë me “Dua të të bëj të lumtur”, një prej programeve të saj të preferuara, por edhe një prej atyre më të ndjekurave në Top Channel.
Megjithatë, edhe përtej kësaj, Arbana nuk është e qetë. Për programin e madh që asaj iu besua për disa vite me radhë, fansat vazhdojnë ta pyesin.
Vetëm pak ditë më parë, burime për Prive mësuan se: “Top Channel po i shqyrton mundësitë që ta rikthejë Big Brother dhe shanset janë më të mëdha këtë vit, marrë shkas edhe nga investimet e kryera që e lehtësojnë organizimin ndryshe nga vjet kur nuk kishte asgjë gati”.
Ndërsa vetë Arbana, në të vërtetë, nuk e di se ç’do të ndodhë me spektaklin e njohur dhe këtë e ka ndarë edhe me fansat – ndoshta edhe për të “shpëtuar” nga pyetja e përhershme e tyre.
“Shpresoja të dija, por në të vërtetë nuk e di. Shpresoj t’ju shoh së shpejti”,- ka shkruar Arbana në fotot e saj nga spektakli duke lënë kështu të kuptohet se, për momentin, ajo nuk e di se ç’do të ndodhë me të, as nëse do të jetë apo jo ajo drejtuesja e këtij spektakli.