Procesi i Vettingut kap “peshqit” e parë në kupolën e Policisë së Shtetit. Sipas dokumentave që disponojnë ekskluzivisht “Shqiptarja.com” dhe “Report TV” tre oficerë të madhorë të policisë rezultojnë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka gjetur me dosje tre oficerë të lartë që janë në poste drejtuese në Policinë e Shtetit.
Procesi i vetingut në radhët e Policisë së Shtetit ka pak kohë që ka filluar ku fillimisht po kontrollohen drejtuesit më të lartë. Në këtë proces ata vlerësohen për 3 komponentët, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aspektin professional. Pikërisht tek komponenti i pastërtisë së figurës një nga pikat kryesore është kontrolli i së kaluarës së oficerëve të policisë në lidhje me ish-regjimin komunist dhe më hollësisht me ish-Sigurimin e Shtetit. Sipas dokumenteve që disponojnë “Shqiptarja.com” dhe “Report TV” Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka përfunduar kontrollin për 55 oficerë që mbajnë poste drejtuese në Policinë e Shtetit nga të cilët kanë rezultuar me problem tre prej tyre. Oficerët G.Z., B.SH. dhe A.SH. kanë rezultuar si bashkëpunëtorë me ish-Sigurimin e Shtetit. “Nga verifikime e kryera deri më tani figuron të ketë material në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në emër të tij”, kjo ka qenë përgjigjia e njëjtë që është dhënë për këta tre oficerë të lartë nga ana e AIDSSH. Ndërsa për gjithë oficerët e tjerë AIDSSH është përgjigjur se: “Nuk figuron të ketë material në emër të tyre”.
Pas këtij konstatimi këta tre oficerë rrezikojnë përjashtimin nga radhët e policisë pasi në kriterin e pastërtisë së figurës dy janë pikat kryesore që ndikojnë në vlerësim negative ajo e lidhjeve me botën e krimit si dhe lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit para viteve 1990.
Duhet theksuar se këta janë vetëm 55 oficerët e parë në poste drejtuese që janë marrë në shqyrtim nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, pasi priten në vazhdim të kontrollohen edhe shumë të tjerë, rreth 300 është numri I tyre.
Kujtojmë se vetingu në radhët e uniformave blu, i cili pritet të filtrojë rreth 13 mijë punonjës, ka filluar me dosjet e para të drejtuesve më të lartë.
Ndërkaq, ende nuk ka një datë konkrete se kur pritet të përfundojë vettingu në radhët e policisë, përveç limit deri në qershorin e 2020 kur pritet të kenë përfunduar të gjitha shqyrtimet për dosjet e drejtuesve më të lartë. Ata që nuk do të kalojnë dot filtrat, shkarkohen për të mos u kthyer më në polici./Arsen Rusta/shqiptarja/