Meta përplaset me PD për 13 Tetorin

624
0

“Merrni shembull nga përballja e opozitës serbe me Millosheviçin”

Refuzimi i Partisë Demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit të dekretuara nga Presidenti ka sjellë përplasjen e parë mes kreut të shtetit dhe partisë më të madhe të opozitës.  Kreu i shtetit thotë se zgjedhjet janë e vetmja mundësi  për demokracinë dhe drejtësinë në vend, teksa i kujton vendimin që Brukseli pritet të marrë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten.  Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi. Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi! 18 Tetori po afron!”

Presidenti Meta këshillon Lulzim Bashën të ndjekë shembullin e opozitës serbe në përballjen me Sllobodan Milosheviçin.

“Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra. Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës”.

Pak ditë më parë tre parti opozitare, ajo Republikane, Agrare Ambientaliste dhe LSI dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për tu regjistruar në zgjedhjet lokale të 13 tetorit. Por ndryshe nga aleatët, demokratët e Lulzim Bashës ndonëse e njohin dekretin e Presidentit nuk do të bëhen pjesë e procesit.