Në kuadër të luftës kundër informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, policia e shtetit ka finalizuar një tjëtër operacion, në Sarandë.
Operacioni quhej “Plazh i lirë” dhe ka proceduar penalisht 3 pronarë subjektesh, të cilët ushtronin aktivitet në kundërshtim me ligjin dhe kishin zaptuar hapësirat publike në interes të tyre.
Si rezultat i operacionit, Policia e Shtetit ka liruar dhe vënë në dispozicion të pushuesve rreth 4000 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga disa shtetas, duke u hequr rreth 960 shezlongë, çadra e tavolina.
Në vijim, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë proceduar penalisht 3 pronarë subjektesh në Ksamil dhe konkretisht:
• P. I., banues në Ksamil, pasi në subjektin e këtij shtetasi, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 600 shezlongë, çadra e tavolina, që shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa leje nga Bashkia.
• F. P., banues në Ksamil. Në subjektin e këtij shtetasi, janë bllokuar dhe sekuestruar rreth 200 shezlongë, çadra e tavolina, që ishin vendosur në një sipërfaqe pronë publike dhe pa lejen e Bashkisë.
• B. M., banues në Ksamil. Në subjektin e këtij shtetasi, është konstatuar se i gjithë aktiviteti tregtar është zhvilluar përgjatë gjithë kësaj kohë pa leje përkatëse nga Bashkia Sarandë dhe Policia hoqi rreth rreth 160 çadra, shezlongë e tavolina nga hapësira publike e zënë në mënyrë të kundërligjshme.
Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve, çdo hapësirë publike, të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin./scan/