Vangjush Dakos i ndalohet hyrja në Amerikë

518
0

Departamenti i Shtetit i ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe anëtarëve të familjes së tij. 

Vendimi, i marrë nga Sekretari i Shtetit, thekson se kryetari i bashkisë Dako është përfshirë në raste madhore korrupsioni. Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë.

Ligji po ashtu i jep të drejtë Sekretarit të Shtetit që vendimin ta bëjë publik, ose t’ia bëjë atë privatisht zyrtarit në fjalë. Në bazë të njoftimit të kësaj të marte Vangjush Dako, bashkëshortja e tij Alba Dako, djali Xhulio Dako dhe vajza e tij Kejsi Dako nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Vendimi thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është një sinjal i fortë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin në vende të tjera të botës.

Dako, bëhet kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria së bashku me Adriatik Llallën dhe Tom Doshin që ndalohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Emri i Vangjush Dakos, ish-kryetar i bashkisë së Durrësit në disa mandate dhe anëtar i kryesisë socialiste është përfshirë në një skandal në Shqipëri që ka të bëjë përgjigjet e dosjes 339 ku Dako është kapur në përgjime me eksponentë të botës së krimit.

Këto përgjime janë kthyer në kalin e betejës politike të opozitës. Për këtë arsye socialistet nuk e kandiduan më Vangjush Dakon në Bashkinë e Durrësit.