Rudina Xhunga: Mos e prekni dhe lëndoni Ndrenikën se mbeteni pa shtëpi

523
0

Gazetarja Rudina Xhunga ka reaguar pas deklaratave të Guljelm Radojës, i cili pyeste Robert Ndrenikën, se përse u shit dhe ndryshoi qëndrim për Teatrin. Xhunga thotë se, Ndrenika nuk duhet prekur në asnjë mënyrë.

MESAZHI I PLOTË

Robert Ndrenika është aktori i gjallë, më i dashur shqiptar. Babai shofer i Mirit me gjel, në filmin “Në shtëpinë tonë” është prej një jete i të gjithë shtëpive tona.

Kemi humbur Sandër Prosin, Kadri Roshin, Agim Qirjaqin, kemi humbur shumë, gjatë viteve, por kemi ende ikona të gjalla të filmit dhe teatrit, që na mësuan shqipen e pastër, emocionin dhe dashurinë që vjen nga zëri e zemra te ti, kur sheh e ndjen ata.

Ata nuk patën asgjë më pak se kolegët e huaj, veç ishin shqiptarë, folën shqip, jetuan si ne, mes nesh dhe ndaj nuk morën dot maksimumin e respektit e mirënjohjes, siç ndodhi me kolegë të tyre, të huaj në botë.

Nuk e bëmë dot me të ikurit. Tani mund t’u bëjmë statuja në park, por ç’vlerë ka për ta.

Mos me Ndrenikën! Është i paprekshëm. Jo pse është në moshë, as pse është sëmurë, por sepse është i shtëpisë sonë. Dhe po e prekët, fyet, lënduat, mbetesh pa shtëpi.

Shtëpia jote, nuk janë tjegullat, as gurët, as pallatet, as kullat, janë emocionet, kujtimet, njerëzit që të mësuan të flasësh, të duash dhe Ndrenika është njeri nga ta.

Është shtëpia ime.