Lajm i rëndësishëm për ata që japin apo marrin shtëpinë me QERA. Si dhe kush do paguajë TATIMIN ?

1748
0

Kush do paguajë TATIMIN

Pas paralajmërimit të Edi Ramës se në Sarandë një pent-house në booking merrte 500 euro në natë dhe ishte e prenotuar por nuk paguante asnjë tatim për shtetin, duket se faza e dytë e operacionit “KUPONI”, do të vijojë me shtëpitë që jepen me qira, dhe kush është ai që do të paguajë tatimin.

“Çdo individ ka të drejtë të shfrytëzojë asetet që zotëron (shtëpi, apartamente, etj) për të përfituar të ardhura në formë të ligjshme. Këto janë të ardhura të tatueshme me 15%” sqaron drejtoria e Tatimeve.

Dhe më pas sqaron disa pika se kush do e paguajë tatimin:

1- Në rastin kur pronën tuaj ia keni dhënë me qera një Subjekti të regjistruar, ky i fundit është përgjegjës për mbajtjen, deklarimin dhe pagesën e tatimit në burim për llogari të organit tatimor.

2- Kur qeramarrësi (paguesi i të ardhurave) është një person i paregjistruar, si në rastin e turistëve vendas apo të huaj, ju si përfitues i të ardhurave, jeni i detyruar të deklaroni dhe të paguani në organin tatimor, tatimin në burim jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

Për të kryer deklarimin dhe pagesën, fillimisht ju duhet të regjistroheni. Për këtë mjafton të paraqiteni pranë zyrave të Shërbimit për tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale Tatimore pranë të cilës jetoni, për t’u regjistruar për përgjegjësine tatimore të tatimit në burim (jo në QKB)” sqaron njoftimi.

Por, nuk është kjo skema për hostelet, apo shtëpitë, aty ku jepen dhoma me qira.

“Deklarimi i tatimit në burim nuk rregullon rastet kur jepni me qera mjedise në pronësinë tuaj, të cilat shërbejnë si njësi të mirëfillta akomodimi për turistë (bed&breakfast). Ju keni detyrimin ligjor të regjistroheni pranë QKB si subjekt që ushtron aktivitet tregtar” sqarojnë tatimet.