Gjatë orëve të paradites, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e vranësirave të dendura në pothuajse të gjithë territorin, por herë pas here do të ketë zhvillim të tyre duke sjellë reshje të përkohshme shiu. Gjatë orëve të pasdites pritet zhvillim i mëtejshëm i vranësirave duke rrezikuar rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit.
Parashikohet që gjatë natës i gjithë vendi të mbetet me vranësira dhe shira, ku herë pas here do të jenë në formë shtrëngate. Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante gjatë orëve të mëngjesit por do të ulen lehtë në orët e mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 7°C deri në 26°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi verior dhe veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 4 ballë.
Kosova
Deri në mesditë, Kosova dominohet nga mot i kthjellët dhe vranësira të shpeshta por pas mesdite pritet shtim i vranësirave, ku më të dukshme do të paraqiten në zonat perëndimore duke gjeneruar rrebeshe shiu. Parashikohet që në mbrëmje vonë dhe gjatë natës vranësirat të shtohen në të gjithë territorin e Kosovës duke sjellë reshje të dendura.
Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante gjatë orëve të mëngjesit por mesdita do të sjellë një rënie të lehtë të tyre, duke luhatur vlerat ditore nga 7°C deri në 23°C. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por deri mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë 45 km/h nga drejtimi verior.
Maqedonia e Veriut
Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet në ndikimin e alternimeve të kthjellimeve dhe vranësirave të pakta gjatë orëve të paradites, por pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të shpeshta nëpër të gjithë vendin. Më të theksuara vranësirat paraqiten në zonat veriore dhe veriperëndimore duke gjeneruar rrebeshe shiu.
Kjo situatë e paqëndrueshme atmosferike do të na shoqërojë gjatë natës në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut. Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante gjatë orëve të mëngjesit por mesdita do të sjellë një rënie të lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 7°C deri në 25°C. Era do të fryjë e lehtë paradites por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale 45 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor.
Europa
Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare mbi Europën Veriperëndimore do të sjellë reshje të dendura shiu si edhe stuhi të forta ere përkatësisht në; ishujt britanikë, gadishullin Iberik si edhe Europën Qendrore. Po ashtu, do të vijojnë reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta në gadishullin Skandinav ndërsa gadishulli i Ballkanit si edhe vendet e Europës Lindore do të jetë nën ndikimin e motit të qëndrueshëm duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e shpeshta të jenë dominante.