Qeveria e SHBA, nën drejtimin e presidentit Donald Trump është bërë më armiqësore ndaj të huajve që duan të emigrojnë në këtë vend.
Për vite me radhë, Amerika ka udhëhequr botën duke pritur refugjatë më shumë se çdo vend tjetër i botës, por aktualisht situata ka ndryshuar. Emigrantët presin me ankth në zyrat e emigracionit në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, me shpresën për të kaluar në tokën e premtuar.
Ata shpresojnë të dëgjojnë emrin e tyre, si të përzgjedhur për të kaluar kufirin amerikan, ndërkohë që të hënën kanë hyrë në fuqi rregullat e reja, që bllokojnë thuajse të gjithë emigrantët të aplikojnë për azil në kufirin jugor të vendit.
Rregulli i përkohshëm i administratës Trump kërkon që azilkërkuesit të gjejnë fillimisht një strehë në një vend të tretë, përmes të cilit ata udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara. Emigrantët janë ankuar për ndryshimin e vazhdueshëm të politikave në SHBA.
Enrique Valenzuela, kreu i COESPO, që është komisioni shtetëror i popullatës që mbikëqyr qendrën e emigrantëve në qytetin e Juarez, deklaroi se nuk kishte njohuri paraprake të masave të reja të ndërmarra nga SHBA, ndërsa i mësoi nga televizioni. Sipas tij, numri i personave që kishin kërkuar azil në Juarez kishte rënë gjatë dy muajve të fundit. Por, sipas rregullave të reja të administratës amerikane numri i azilkërkuesve pritet të rritet ndjeshëm në Meksikë, pas refuzimit që do të marrin nga Shtetet e Bashkuara.Lidion Kulla / SCAN