Pandeli Majko bën deklaratën e fortë: Pas Zotit, në Shqipëri vjen..

2639
0

I ftuar në “Mbrëmje Ide”, Pandeli Majko është shprehur se “nëse kjo do të ishte një krizë që do të kishte protagoniste PS-në, sinqerisht do e kisha shumë të vështirë të vija sot këtu”. Sipas tij, vendi shumë shpejt do të këtë një Gjykatë Kushtetuese dhe është ajo që do të caktojë nëse ka të drejtë PD-ja apo PS-ja.

“Ne shumë shpejt do të kemi një Gjykatë Kushtetuese. Kjo Gjykatë jam i bindur që do të ndajë shapin nga sheqeri, nëse ka të drejtë PD-ja apo PS-ja. Nëse Gjykata thotë se PS-ja ka shkelur ligjin, ka shkelur dekretin, ka shkelur Kushtetutën, ne do të shkojmë përsëri në zgjedhje lokale. Por zgjedhjet lokale do të ribëhen me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pas Zotit, në Shqipëri vjen Gjykata Kushtetuese. Nëse kjo Gjykatë Kushtetuese do të marrë këtë vendim, ne do të jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje. Por sot ne askush nuk mund të na ndalojë dhe të na thotë se ju nuk do të shkoni në votime”, u shpreh Majko.

Ai u ka bërë thirrje mendjeve të kthjellëta të opozitës që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Këshilla ime është që të mos shkohet te përplasja. Është e paimagjinueshme që partia që krijoi votën e lirë pas viteve ’90, të nxjerrë njerëzit në rrugë për t’i penguar ata që të votojnë. Është e paimagjinueshme. Prandaj, mendoj se më qetësi dhe me dashuri ta mendojnë të shtruar dhe ka boll njerëz të mençur, të shkojnë nesër në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojnë nëse janë të mendimit se dekreti i Presidentit është i ligjshëm dhe se ne jemi duke bërë zgjedhje të paligjshme, të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe jo të djegin shkolla”, u shpreh ministri i Diasporës.

Sipas tij, PS sot nuk ka mundësi të kthehet pas dhe të mos zhvillojë zgjedhjet e 30 qershorit, por PD ka të gjitha mundësitë që t’i ankimojë ato.

“Nëse kam ardhur sot këtu, është se asnjë qytetari nuk i intereson të vërë jetën në rrezik të tij dhe të familjes së tij për politikanët shqiptarë, përfshirë edhe veten time. Nuk dua të dal unë si delja e bardhe midis të zezave sepse edhe unë kam kusuret e mia bashkë me të tjerët. Sot PS-ja nuk ka asnjë mundësi që të kthehet pas. PD i ka të gjitha mundësitë që të kërkojnë zerimin e procesit zgjedhor nëse ata mendojnë se ky proces është fals, i paligjshëm dhe antikushtetues, le të shkojnë në Gjykatë. Të shkojnë në Gjykatë dhe të mos nxjerrë njerëzit dhe gratë që të përplasen me Policinë”, u shpreh Majko.