Gjithçka u finalizua në natën finale. Xheisoni nuk ka një shtëpi, por dy shtëpi në Tiranë. Gjithçka që nisi nga një kontribut vullnetar online e u pasua me shuma të mëdha, me njerëz që u identifikuan e shumë të tjerë që nuk pranuan ta zbulojnë emrin e tyre, u kurorëzua sonte.
“Në kurthin e Piter Panit”, “Fundjavë ndryshe” dhe shumë donatorë të tjerë bënë të mundur që Xheisoni dhe familja e tij të transferohen në kryeqytet dhe jo vetëm ata, por edhe dy gjyshërit e vogëlushit në një shtëpi tjetër në rezidencën “Anna”, në Tiranë.
Nga nata finale, Alketa Vejsiu dha lajmin se për Xheisonin janë mundësuar nga të gjithë donatorët dy shtëpi. Për të arritur këtë dhuratë të madhe për vogëlushin ka ndihmuar edhe bashkia e Tiranës dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.
Pasi e falënderoi dhe e përqafoi Lali Erin, i cili erdhi enkas për t’i dhënë lajmin e bukur ‘tarameles’ së Piter Panit, Xheisoni nuk i mbante dot lotët: “Qaj nga gëzimi, nga emocioni…” – tha vogëlushi që qante me ngashërim duke përsëritur vazhdimisht “Faleminderit”.
“Janë lot gëzimi, lot emocionesh…” vazhdonte i emocionuar vogëlushi duke hedhur poshtë shprehjen se “burrat nuk qajnë”: “Kjo shprehje është kot, se të gjithë njerëzit qajnë…” – tha dhe kishte të drejtë.
Të gjithë sonte qanë bashkë me të. Me lot gëzimi, me lot emocionesh.