Elvis Naçi, profili i një imami të dashur nga të gjithë

577
0

Imami Elvis Naçi u bë i njohur në rrjetin social “You Tube”, pasi ai postonte aty ligjëratat ose hutbet që mbante në Xhaminë e Tabakëve çdo të premte. “Fama” e tij erdhi pikërisht në kohën kur shumë imamë anembanë botës, por edhe në Ballkan u akuzuan që në hutbet e tyre kishte deklarata ekstremiste që nxisnin muslimanët për të shkuar në Siri e të luftonin përhrah xhihadistëve të shtetit islamik ISIS, që terrorizoi botën për vite me radhë.

Naçi në ligjeratat e tij pikasi direkt në opinionin publik pasi shumë thanë se ai përcillte atë që quhet islami i moderuar. Në bazën e ligjëratave të tij ishte familja e shëndoshë, marrëdhëniet mes burrit dhe gruas, fëmijëve dhe prindërve, dhe kjo “rrymë” e ligjëratave shpejt u përqafua jo vetëm nga komuniteti musliman, por edhe nga njerëzit e feve të tjera, edhe nga ato pa fe, pasi të gjithë e vlerësonin imamin e ri për mënyrën e të shprehurit, dhe mënyrën sesi bota do të bëhej më e bukur, dhe me më shumë paqe e dashuri mes njerëzve.

Për ta demostruar këtë, Elvisi edhe në daljet publike siç rrallë ndodh me imamët ka marrë me vete edhe bashkëshorten e tij, Fatmën dhe dy djemtë e vajzën.

Shumë shpejt Elvis Naçi do të bëhej një ndër personazhet më të ndjekura në rrjetet sociale në botën shqiptare, videot që ai postonte merrnin mijëra shikime, dhe bashkë me rritjen numerike të ndjekësve të tij, u shtuan edhe komentet për të.

Në janarin e vitit 2017, Elvis Naçi do të dorëhiqej nga posti Drejtorit të Thirrjes në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, pasi ai tha që angazhimet e tjera ia pamundësuan atij të vijojë ta drejtojë këtë drejtori brenda KMSH.

Imami i xhamisë së Tabakëve hapi në fund të 2016-ës edhe fondacionin e bamirësisë “Firdeus”, fondacion ky që do të bëhej shpejt një ndër fondacionet që do të shpërndante më shumë ndihma dhe do të ishte pranë familjeve në nevojë në çdo kohë.

Një vit pas hapjes së fondacionit “Firdeus” më datën 19 janar 2018, në televizionin më të madh të informacionit në Shqipëri në “News 24” do të startonte emisioni “Shqiptarët për shqiptarët”. Nën drejtimin e Ola Brukos, dhe me pjesëmarrjen e përhershme të Elvis Naçit e Sidrit Bejlerit dhe me producent ekzekutiv Ilir Hoxhollin “Shqiptarët për Shqiptarët” do të bëhej emisioni që preku zemrat e mijëra shqiptarëve.

Me nisjen e emisionit, Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri, me kontributin e qindra shqiptarëve dhe me fondacionin “Firdeus” do të shfaqeshin në çdo cep të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, duke ndihmuar qindra familje, e duke bërë të lumtur qindra persona në mbarë trevat shqiptare.

Elvis Naçi bëri të lumtur, dhe i plotësoi amanetin e babait një 16-vjeçare nga Pogradeci, të cilës i kishte rënë barra e familjes mbi supe. Ai duke e quajtur vajzën një heroinë i ndërtoi asaj një shtëpi, duke i ndryshuar përfundimisht jetën.

Gjithashtu historia e familjes Çuko prej 7 anëtarësh në Ferm-Çlirim të Fierit preku zemrat e mbarë shqiptarëve.

Emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’ dhe Elvis Naçi arritën t’i sigurojnë një shtëpi të re, një rrogë mujore dhe një punë kryefamiljarit.

Naçi i ktheu buzëqeshjen edhe një familje nga Kosova, së cilës i ishte djegur shtëpia dhe jetonin në qiell të hapur, e nuk kishin mundësi as për ushqime. Ato u bënë me shtëpi të re, e për ta filloi një jetë normale.

Këto janë vetëm disa nga rastet ku Elvis Naçi me bashkëpunëtorët e tij, kanë ndihmuar familjet në nevojë.

Për shkak të popullaritetit të tij, Elvis Naçi është komentuar gjatë se ai do të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës, dhe do t’i futet botës së politikës. Një gjë të tillë së fundmi Elvisi e ka mohuar, duke vënë edhe një herë në dukje se bamirësia dhe feja janë misionet e tij, që do t’i lërë vetëm kur ai të mos jetë më./ Isa Myzyraj-Dritare.net