Gjysma e “mësuesve” ngelësa. Rrëzohen në provimin për të marrë licencën (Video)

1047
0

Gjysma e kandidatëve për të marrë të drejtën e mësimdhënies kanë ngelur në Provimin e Shtetit. Edhe pse kanë mbaruar studimet e larta, ata nuk kanë mundur të marrin licencën e mësuesit. Ndërkohë asnjë prej kaluesve nuk ka fituar pikët maksimale në provim.

Sipas Qendrës së Shërbimeve Arsimore vetëm 49.6% e kandidatëve kanë marrë notë kaluese, ndërsa mbetësit kanë të drejtë t’i nënshtrohen sërish provimit kundrejt një pagese ose ta ankimojnë rezultatin. Në syrin e Veronikës, mësuese e matematikës që në vitin 71, kjo gjendje është kambanë alarmi.
“Rënia vjen që nga përgatitja e mësuesve niveli I tyre që lë për të dëshiruar, dhe e kam konstatuar nëpërmjet punës me nxënësit; por nuk është vetëm kjo e mësuesve që luan një rol kryesor, por është dhe programi ,tekstet”,  tha Veronika Cfarku, mësuese

Për mësueset, pensioniste tashmë duhet të merren masa të menjëhershme për përmirësimin e nivelit arsimor në vend; ndryshe e ardhmja edhe pse me kushte më të mira se në kohën e tyre, nuk do të jetë e ndritur.

“Po të ishte vetëm në dorë të këtyre mësuesve, imagjino çdo përgatitej për të ardhmen. Është një fatkeqësi në këtë drejtim dhe duhet menjëherë të ndryshohet që nga përgatitja”, vijoi Cfarku.

“Të rritet cilësia kush do shkojë në shkollën e lartë, nuk kemi nevojë për kaq shumë nxënës në shkollë të lartë dhe tjetër programet që i ndryshuan jashtëzakonisht keq. Plot me gabime librat”, tha Marjeta, mësuese në pension.