A i bëjnë dëm shëndetit vezët? Zbulimi i fundit

1159
0

A bëjnë mirë vezët? Sipas disa ekspertëve vezët janë të shëndetshme, pavarësisht pranisë së kolesterolit, ndërsa të tjerë i cilësojnë të rrezikshme. Një studim i fundit, tenton që të hedhë dritë mbi këtë temë.

Siç raporton ‘New York Times’, studimi i fundit analizoi të dhënat e gjashtë studimeve ku u përfshinë rreth 30 mijë pjesëmarrës.

Nga analizat rezultoi se për çdo 300 miligramë shtesë kolesterol në ditë, rritej me 17% rreziku për sëmundje kardiovaskulare dhe me 18% rreziku për vdekje të parakohshme, për çfarëdo lloj arsye.

Një vezë e madhe përmban rreth 185 miligramë kolesterol, i cili gjendet i gjithi në pjesën e verdhë. Çdo gjysmë veze shtesë në dit shton me 6% rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe me 8% rrezikun e vdekjes së parakohshme.

Studimi i publikuar në revistën shkencore ‘JAMA’, sugjeron se sa më shumë vezë që të konsumohen, aq më i madh është rreziku për sëmundje kardiake, problemet me koronaret, infarktin, insufiçencë kardiake dhe vdekje e parakohshme. E njëjta gjë vlen edhe për kolesterolin që gjendet në regjimet e tjera ushqimore.

Robert H. Eckel, profesor i mjekësisë në Universitetin e Colorado, SHBA, shkroi një editorial për të shoqëruar studimin.

“Ka të dhëna të mjaftueshme për të konfirmuar me forcë se vezët dhe marrja e kolesterolit në regjimin ushqimor, ndikojnë në shtimin e sëmundjeve kardiovaskulare duke rritu edhe rrezikun e vdekjes për shkaqe të ndryshme”, thotë Ecklel, citon noa.al.

Megjithatë thuhet se vezët kanë shumë avantazhe, si aminoacide dhe minerale, por se për të mos rrezikuar, nuk duhet kaluar më shumë se një kokërr vezë në ditë.