Shkuan për një jetë më të mirë, familja shqiptare nxirret në rrugë, fle në makinë

733
0

Francë- Prej dy vitesh jetonin në qytetin Pontivy, por fati mesa duket nuk i buzëqeshi familjes shqiptare, Osmani. Tani ata nuk kanë më një banesë dhe prej një jave flenë në makinë. Ata gjetën “strehë” brenda automjetit të tyre dhe e parkuan përballë shkollës Paul-Langevin, ku shkojnë dy fëmijët e mëdhenj, Melisa dhe Xhezmi, raporton media franceze, letelegramme.fr.

Të dy prindërit dhe tre fëmijët e moshës 8, 7 dhe 1 vjeç, u njoftuan nga autoritetet e azilit se duhet të largoheshin nga banesa. “Është një lojë e tmerrshme”, tha një vullnetar nga shoqata e Rrjetit të Edukimit pa Kufij, e cila aktualisht po mbështet dymbëdhjetë familje në Pontivy. “Për fat të keq, ne nuk kemi mjetet për të ndihmuar më shumë,” ka treguar ai.

Ndërsa, një familje në Pluméliau ka pritur në banesën e saj, 5 shqiptarë gjatë fundjavës të cilët ishin dëbuar nga azili. Deri më tani ata nuk kanë asnjë zgjidhje dhe do të qëndrojnë në qiell të hapur.

Kryefamiljari, ka treguar se në atë qytet ka dhe familje të tjera. “Ka dhe katër familje të tjera në një shtëpi të vogël. Vendet janë shumë të vogla dhe të papërshtatshme për fëmijët.” Familja Osmani ka ezauruar të gjitha mundësitë juridike dhe nuk përfiton azil, por ka një urdhër që duhet të largohet brenda një afati të caktuar nga territori francez.

Një vullnetar nga shoqata Rrjeti i Edukimit pa Kufij, ka thënë se familja Osmani është larguar nga Shqipëria, pasi ishte e kërcënuar.“Ata ikën pasi në vendin e tyre ishin të kërcënuar. Ata e gjetën si shpëtim të emigronin”./tvklan