‘Qytetari dixhital’ mund t’i kushtojë shtrenjtë Berishës, Policia e Shtetit merr hapin e MADH!

616
0

Policia e Shtetit do të kallëzojë penalisht për shpifje ish-kryeministrin Sali Berisha sa herë që ai do të bëjë denoncime publikë në profilin e tij në Facebook, përmes informacioneve që i vijnë me mesazhe private nga qytetarë të ndryshëm. Sa herë që shpifjet ndaj policisë të faktohen, kryepolici Ardi Veliu përmes një njoftimi nga zyra e shtypit të policisë, thotë se do të ndjekë çdo hap ligjor kundrejt akuzave të pabaza.

Nën ‘mburojën’ e anonimatit, shumë persona i dërgojnë mesazhe në rrjetet sociale ish-kryeministrit Sali Berisha duke bërë denoncime të ndryshme. Pa asnjë lloj filtri, ish-deputeti demokrat i bën publike në profilin e tij në Facebook, ku përfshin persona të ndryshëm, zyrtarë, jo zyrtarë, qytetarë të thjeshtë, të zakonshëm, bazuar vetëm në atë se çfarë i shkruajnë në ‘inbox’ personat që ai i ka pagëzuar ‘qytetari dixhital’. Të shumta kanë qenë denoncimet kur ish-kryeministri ka dalë blof, por më së shumti shigjetimet e denoncimeve tek ish-kryeministrit, kanë qenë për Policinë e Shtetit. Nisur nga ky fakt, nga një valë e gjatë shpifjesh, Policia e Shtetit ka vendosur se do të kallëzojë penalisht Sali Berishën sa herë që prej tij do të denoncohen publikisht shpifje, lajme që denigrojnë dhe pengojnë punën e punonjësve të Policisë. Policia nga ana tjetër, trgeohet e hapur për hetime që mund të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e ish-kryeministrit.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit konstaton me keqardhje se shtetasi Sali Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjete sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligj zbatuese.

E gjendur nën presionin e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi, Policia e Shtetit bën me dije se do të reagojë me kallzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria.

Publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë linçimi publik, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve.

Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha.

Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit.