Kryefamiljari: ‘Kam ngrënë nga koshi i mbeturinave, nuk di si t’i ushqej fëmijët’

846
0

Varfëri ekstreme, mjerim, skamje dhe shumë vuajtje e trishtim.

Këto fjalë janë të pakta për të përshkruar jetën e familjes Çuko në Ferm-Çlirim të Fierit.

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” së fundmi ka bërë publike historinë e familjes e cila jeton çdo ditë me shpresën e mbijetesës.

Erjona, nënë e 5 fëmijëve rrëfen e përlotur se ka vuajtur shumë dhe bën thirrje që të ndihmohet nga të tjerët, pasi familja e saj nuk ka me çfarë të ushqehet: “Fëmijët edhe tre ditë pa bukë kanë qëndruar. Kur nuk kisha bukë thatë, u jepja vetëm ujë. E kam pasur shumë të vështirë për t’i ushqyer. Komshija bënte bukë dhe na e falte. Motra më jepte thesin me miell të ushqeja fëmijët. Një bidon qumësht nuk kam pasur t’u jap. I kam rritur me ujë me sheqer, sheqerin e merrja me listë në dyqan. Për t’u blerë librat morëm overdraft, sot shlyejmë borxhet pasi u blemë fëmijëve rroba dhe libra shkolle. Unë kam punuar pastruese më parë, vëllai më ka vdekur nga leucemia.”

Mandej ajo ka treguar se kur ishte shtatzënë donte që të abortonte:

“Doja t’i abortoja fëmijët. Më doli vëllai në ëndërr, më tha do t’i mbash fëmijët. Mora vesh që kisha dy binjakë, qava me të madhe, u bëra me pesë fëmijë. Kemi pasur konflikte me pronat që kemi pasur më parë. Nëse më ndihmoni vetëm për këta fëmijë, një çati në kokë, do mundohem më shumë për këta fëmijë. Nuk dua të vuajnë më, jemi në shtëpinë e botës këtu.”

Po ashtu ajo pohoi publikisht se djali i saj, Luisi, në vend që të ulet për të mësuar, del të mbledhë bidona në mënyrë që të ndihmojë familjen: “Nuk dua që ai të bredhi nëpër kosha plehrash. Ata sakrifikojnë, më ikin fshehurazi dhe i sjellin thasët në derën e shtëpisë. I drejtohem Elvisit dhe Sidritit të vënë dorën në zemër për këta fëmijë. Kërkoj ndihmën e gjithë shqiptarëve ku janë, dua që fëmijët të ecin përpara. Shpresoj që fjala ime si nënë të dëgjohet!”

Nga ana tjetër, kryefamiljari Gentian Çuko tha i trishtuar se edhe nga koshi i mbeturinave ka ngrënë:

“Kur nuk gjej bidonë, trishtohem, them kalamajtë më ngelën pa bukë, të gjitha i mbledh, ndonjëherë nuk gjej gjë. Ndihem i fyer që arrita në këtë gjendje, e bëj për fëmijët që kam arritur në këtë pikë, fëmijët më shikojnë nga duart ca u çoj për të ngrënë. Kur nuk kam gjë, u them babi do u sjelli nesër! Zgjodha këtë rrugë, është rrugë e ndershme. Edhe nga koshi i mbeturinave kam ngrënë, të arrija të mblidhja nga koshi, edhe këtu kam arritur, shkoj në një kosh afër supermarketit, ato gjërat ua kam çuar, u kam thënë, i bleu babi. Nuk qaj kurrë në sy të tyre, qaj nëpër kosha! Po nuk punova unë ata nuk hanë! Vajzat e vogla duan të hanë, nuk di si t’i ushqej fëmijët, me këtë punë nuk mundem!” /balkanweb.com