Parlamenti grek ndryshon ligjin për nënshtetësinë (Video)

1926
0

Parlamenti grek miratoi ndryshimet në ligjin për emigrantët, që zgjeron gamën e atyre që përfitojnë nënshtetësinë greke. Ligji i ri u jep të drejtën e nënshtetësisë edhe invalidëve dhe të sëmurëve mendorë nën 65 vjeç. Tarifat e aplikimit reduktohen në 550 euro, 150 euro më pak se më parë. Megjithatë, ligji i ri përcakton rregulla të reja për testin e gjuhës dhe njohurive mbi historinë dhe kulturën e vendit.

“Diskutimi i dispozitave u shoqërua nga debate të ashpra. Opozita e akuzoi qeverinë se po jep masivisht nënshtetësinë, me qëllim që të joshë votat e emigrantëve në tre palë zgjedhjet që do të mbahen këtë vit. Por ministri i Brendshëm i zmbrapsi sulmet, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të zgjojë reflekse ekstremiste në opinion. Ministri shtoi se Qeveria Tsipras po përpiqet të bëjë atë që në shtetet e tjera europiane është diçka normale: Asnjë emigrant që jeton i ligjshëm në vend nuk mund të përjashtohet nga marrja e nënshtetësisë.”

Deri më sot, nënshtetësinë greke e përfitonin fëmijët e lindur, apo të arsimuar në Greqi, qytetarët me origjinë greke dhe një numër mjaft i vogël shtetasish nga vende të treta. Të dhënat zyrtare tregojnë se janë rreth 230 mijë të huaj që kanë marrë nënshtetësi greke në gjashtë vitet e fundit. Shumica dërrmuese e tyre janë emigrantë të ardhur nga Shqipëria.