Pezullohet nga detyra efektivja e forcave Shqiponja, Blerta Dervishi e cila është banore në banesën pranë shkollës ‘Petro Nini’.
Urdhëri për pezullimin nga detyra është komunikuar gojarisht nga eprori.
Mësohet se motivacioni për pezullimin nga detyra është ‘pengimi i policisë në kryerjen e detyrës’.
Blerta Dervishi ishte punonjëse e policisë pranë Repartit “Shqiponja” në Policinë e Tiranës. Ajo banon bashkë me 14 persona të tjerë në ndërtesën tek ‘Petro Nini’, ndërsa ditën e djeshme, përmbarimi shkoi për t’i nxjerrë jashtë, pasi tokës ku është ndërtuar banesa i ka dalë pronari. Thuhet se ka vendim gjykate të formës së prerë, të cilin përmbaruesit shkuan ta ekzekutojnë një ditë pasi njoftuan familjarët të lirojnë banesën.
Efektivja e Shqiponjave dhe banorët e tjerë nuk pranuan të dalin nga banesa duke shkaktuar përplasje të forta me përmbaruesit.