Në ditën e lindjes së babait të saj, deputetja demokrate Rudina Hajdari deklaron zyrtarisht se nuk do të djegë mandatin. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zonja Hajdari, tha se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.
“Mendoj që parlamenti i jep oksigjen demokracisë, jep oksigjen partive politike është vendi ku në përfaqësojmë sovranët. Prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri shumë e lartë që unë ndjej mbi shpatulla mendoj se qëndrimi në parlament do ishte vendimi më I duhur që do të bëja dhe do ti shërbeja të ardhmes së Shqipërisë”, ka thënë zonja Hajdari.
Me qëndrimin zyrtar të saj, shkon në dy numri i deputetëve demokratë që nuk kanë pranuar të djegin mandatin. I pari ishte Myslim Murrizi, i cili pas vendimit u përjashtua nga partia. Edhe për Rudina Hajdarin është paralajmëruar e njëjta masë nga Partia Demokratike. /Opinion.al