Një Shqipëri tjetër e ‘Marko from Tropoja’!

3786
0

Të gjithë e kujtojmë çfarë impakti pati (dhe vazhdon të ketë) filmi “Taken” (2008) tek shqiptarët dhe jo vetëm.

Filmi aksion, me regji të Pierre Morell dhe protagonist kryesor aktorin e njohur Liam Neeson, dashur pa dashur e prezantoi botën vetëm me anën e errët të Shqipërisë.

E gjithë historia nis këtu dhe vijon për të shpëtuar gjallë të bijën nga duart e shqiptarëve.

Në fakt, vendi dhe populli ynë nuk është kështu, apo jo?! Pse bota duhet t’i perceptojë si të rrezikshëm shqiptarët?

Për ta thyer këtë mit, “Active Albania” ka marrë përsipër një nismë në bashkëpunim me personazhë të njohur të artit, këngës dhe politikës; “Të ‘rrëmbejnë’ Liam Neeson për të parë si është Shqipëria e vërtetë.

Pak orë më parë, kjo video u përhap në Instagram ku figura të njohura shqiptare, ftojnë hapur aktorin e “Taken” për të parë bukuritë natyrore që vendi ynë ofron.

“Në kulturën e përgjithshme, Shqipëria është etiketuar si një strehë për bandat, kriminelët dhe gansterët. Ndërkohë që e kuptojmë se përceptimi i marrë nga filmat e mirë si Taken (2008), kjo është tërësisht e pavërtetë. Në realitet, Shqipëria është nje vend i bukur dhe tepër i sigurtë për t’u vizituar dhe jetuar. Prandaj ne filluam këtë fushatë për të apeluar personalisht aktorin e famshëm të Taken z. Liam Neeson.

Shikojeni videon dhe bashkohuni me ne duke nënshkruar peticionin për të sjellë z. Neeson në Shqipëri dhe të rrëmbehet nga natyra e bukur, mikpritja dhe traditat e përjetshme.”- shkruan Binaj në videon ku pasqyrohet pothuajse çdo pasuri që gëzon Shqipëria.

Përpos faktit që e gjithë video ishte emocionuese, pjesa kulminante ishte kur aktori Arben Bajraktaraj, (Marko) e fton personalisht ‘kundërshtarin’ e betuar për të parë Shqipërinë.

Aty vendi ynë, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë që ndoshta bota dhe vetë aktori perceptoi nga “Taken”.