Ndryshon vendimi për importin e makinave

1511
0

Qeveria pritet që të ndryshoje vendimin për importin e të gjitha makinave të cilat i përmbahen direktivës së Bashkimit Europian Euro 4. Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se shumë shpejt dy ministrat, ai i Mjedisit Blendi Klosi dhe ajo e Infrastrukturës Belinda Balluku, do të firmosin vendimin e ri i cili do t’i hapë rrugë regjistrimit në Shqipëri makinave të cilat kanë datën e prodhimit në vitin 2005.

Me një vendimin të marrë në fund të tetorit të 2018-s, Këshilli i Ministrave vendosi që të bllokojë regjistrimin e makinave të reja të cilat janë nën normën Euro 4, me kushtin që viti i prodhimit të ishte jo më i madh se 10 vjetët e fundit.

Ky vendim bëri që mjetet të cilat sot lejohen të hyjnë dhe të regjistrohen në Shqipëri të jenë të prodhuara në 2009-ën. Por pas kërkesave të tregtarëve të automjeteve, se standardi euro 4 nuk ndot mjedisin dhe i njëjti standard lejohet edhe në shtete të tjera të Bashkimit Europian, është vendosur që të hapen dyert e importit për të gjithë flotën Euro 4.

Për këtë vit, në Shqipëri do të lejohen të bëjnë regjistrimin edhe makinat me moshë 14-vjeçare.

Janë 50 mijë makina në Shqipëri të regjistruara sipas standardeve euro 4, ndërsa përqindja më e madhe automjeteve, afro 270 mijë rezultojnë të regjistruara sipas normës euro3, me rreth 20 vjet vjetërsi. Vetëm 5% e tregut në vend mbulohet nga makinat e reja, pjesën tjetër e zë importi i mjeteve të përdorura.