“25, 19, 30, 27…”. Këto janë disa nga shumat që qytetarët paguajnë çdo muaj për konsumin e ujit.
Megjithatë, në raportin vjetor të 2018, Enti Rregullator i Ujit vlerëson se në bazë të të ardhurave të familjeve shqiptare, ata mund të përballojnë rritjen e çmimit.
“Niveli prej 5% i shpenzimeve mesatare mujore të një familjeje, përllogaritur nga INSTAT, tregon se ka ende hapësirë për të përballuar rritjen e tarifave”, thuhet në raport.
“Të rritet akoma?! Unë kur e hap çezmën, edhe vaji s’më dhimbset aq shumë”, thotë një qytetare.
“Nuk e përballoj të rritet, s’kam para ta përballoj. 25 e kam tani, ku të shkoj më shumë? Ata po se i kanë rrogat e mëdha, po unë me këtë pension? Cfarë të ha tani? Asgjë”, thotë një tjetër.
Ky ndryshim tarifash është i domosdoshëm sipas Entit Rregullator të ujit, për të përmirësuar ofrimin e shërbimit nga ujësjellësit.
“Po e rritën njëherë, gati e dyfishuan. Si, prapë duan ta rrisin? Pastaj, nuk ka asnjë përmirësim. Ne jemi akoma me fuçi në tarracë”, shprehet një banor.
Nga 1 janari i vitit të kaluar, kujtojmë se tarifat e ujit u rritën me 44% në Tiranë, nga 45 lekë për metër kub, në 65 lekë.