Fëmija dhe pema e mollës! Fabula e mençur, si ua “marrim shpirtin” prindërve pak e nga pak!

3232
0

Shumë kohë përpara, na ishte një dru i madh molle.

Një fëmijë e kishte qejf të vinte për çdo ditë e të lozte rreth e rrotull tij.

Ai ngjitej në maje të drurit, hante molla dhe pastaj e merrte një sy gjumë nën hijen e tij.

Ai e donte drurin, po edhe druri donte të lozte me të.

Kaloi një kohë e gjatë, fëmija i vogël u rrit dhe nuk vinte më për çdo ditë të lozte përreth pemës.

Një ditë, djaloshi u kthye te pema, mirëpo dukej i zymtë.

“Eja dhe luaj me mua”, iu lut pema djalit.

“Nuk jam më fëmijë, unë nuk luaj më përreth drunjve, iu përgjigj ai. – Unë dua lodra, mirëpo nuk kam para t’i blej”.

“Më vjen keq, ama unë para nuk kam. Mund t’i mbledhësh të gjitha mollët e mia, t’i shesësh dhe të bësh paratë”, i tha druri i mollës.

Djaloshit iu bë qejfi shumë.

I rrëmbeu të gjitha kokrrat e mollëve dhe iku i lumtur.

Mirëpo ai nuk u kthye më, pasi i kishte mbledhur mollët.

Druri u zymtua shumë.

Një ditë, djaloshi i cili tanimë ishte bërë burrë, u kthye sërish dhe pema u gazmua së tepërmi.

“Eja dhe luaj me mua”, i tha pema.

“Nuk kam kohë të luaj. Më duhet të punoj për familjen. Madje na duhet një shtëpi për strehim. A mund të më ndihmosh?”, i tha ky.

“Më vjen keq, ama unë nuk kam shtëpi. Ti mund t’i presësh degët e mia dhe të ndërtosh një shtëpi”, i tha druri njeriut.

Ky ia preu të gjitha degët dhe iku i lumtur.

Druri u gëzua kur e pa atë të lumtur, mirëpo njeriu nuk u kthye më.

Druri sërish mbeti i vetmuar dhe i zymtë.

Një ditë të nxehtë vere, njeriu u kthye prapë, ndërsa druri u gëzua tej mase.

“Eja dhe luaj me mua!”, i tha druri.

“Po plakem. Dua të shkoj të lundroj me anije për t’u relaksuar e çlodhur. A mund të më japësh një varkë?”, i tha njeriu drurit.

“Përdore trungun tim për ta ndërtuar varkën. Pastaj lundro larg e larg dhe kënaqu”.

Kështu, njeriu e preu trungun e drurit për ta ndërtuar varkën.

Ai shkoi për lundrim dhe nuk u duk më për një kohë të gjatë.

Përfundimisht, njeriu u kthye sërish te druri i mollës pas shumë vitesh të kaluara.

– “Më vjen keq, biri im. Nuk kam më asgjë për ty, nuk kam më mollë të të jap”, i tha druri.

– “S’ka gjë, edhe unë nuk kam më dhëmbë për të kafshuar”, iu përgjigj njeriu.

– “Nuk kam më trung të ngjitesh në të”, i tha druri.

– Njeriu i tha: “Jam shumë plak për atë punë, s’ngjitem dot”.

– “Vërtet nuk mund të të jap asgjë. E vetmja gjë që më ka ngelur janë rrënjët e mia që po më vdesin”, i tha druri i përlotur.

“Tani nuk kam nevojë për diçka më tepër, sesa një vend për t’u ulur.

Jam lodhur fort pas kaq e kaq vitesh”, iu përgjigj njeriu.

“O Zot, rrënjët e një druri të moçëm janë vendi më i mirë për t’u mbështetur në to e të pushosh. Eja, ulu pranë meje dhe pusho”, i tha druri.

Njeriu erdhi, u ul pranë tij, ndërsa druri ishte shumë i lumtur dhe qeshej me lot.

Cfarë mësojmë nga kjo fabul, për të gjithë ata që nuk e kuptuan…

Ky rrëfim vlen për çdokënd.

Druri është sikurse prindërit tanë.

Kur jemi të vegjël, duam të luajmë me mamin dhe babin.

Kur rritemi, i braktisim ata; vijmë te ta vetëm kur na duhet diçka ose kur jemi në bela.

Sido që të jetë, prindërit janë gjithnjë aty dhe do të na japin gjithçka që munden, vetëm e vetëm të na bëjnë të lumtur.

Juve mund t’ju duket se djaloshi ishte shumë i vrazhdë ndaj drurit.

Po.

Edhe ne të gjithë jemi të tillë ndaj prindërve tanë.

Mbështetemi tek ata, mirëpo nuk e çmojmë atë që ata e bëjnë për ne.

“O Zot, na fal për gabimet tona ndaj prindërve dhe na udhëzo në rrugë të mbarë!” /http://supershendeti.com/