«Tek spitali privat në Shqipëri më gënjyen», Estela Ujka rrëfen si humbi gishtin nga tumori dhe mposhti sëmundjen e rëndë

1768
0

Në ndryshim nga shumë personazhe të njohura të showbiz-it shqiptar, bloggerja e njohur Estela Ujka ka zgjedhur të jetë gjithmonë e drejtpërdrejtë me ndjekësit e saj që e kanë përkrahur që prej prezantimeve të para në ”Netë vere” e deri tek eventet e modës, në të cilat ka spikatur gjithmonë për stilin e veçantë dhe të kuruar. Dhe kur e themi ”e drejtpërdrejtë” nuk i referohemi trukeve dhe këshillave për t’u dukur bukur apo kombinuar veshjet e aksesorët, por mbi të gjitha leksioneve për të pranuar veten ashtu siç jemi, apo edhe për të mos ndjerë turp teksa ushqeni me gji fëmijën në një ambient publik.

E megjithatë në fillim të këtij viti, ajo do të ndante me miqtë, siç i quan ndjekësit në Instagram, një moment të vështirë siç është lufta me tumorin, një sfidë aspak e lehtë për mamanë e tre vajzave. E ftuar në studion e Rudina Magjistarit, ajo ka folur rreth kësaj çështjeje dhe si arriti të mposhtë sëmundjen falë ndihmës së familjes.

Ajo tregoi se operacionin e parë e kreu në një prej spitaleve private në Tiranë, por, për fat të keq, rezultoi pa sukses: ”Dy vjet përpara se të lindja vajzën e tretë, unë kisha kryer një ndërhyrje në Shqipëri. Kisha kryer në ndërhyrje në gisht. Ishte një tumor mes beninj dhe malinj, pra nuk është malinj me risk jete, por nëse ndërhyrjet nuk kryhen siç duhet, mund të ketë edhe pasoja fatale.

Për fatin tim të keq, hera e parë në spitalet private në Shqipëri nuk rezultoi e suksesshme, edhe pse nuk dhanë asnjë lloj përqindje që ky tumor do të përsëritej. Ndërkohë që u përsërit dhe vendimi për ta bërë sërish në Shqipëri, mua më dukej i pamundur. Mundësitë që të bëhej mirë operacioni ishin herën e parë dhe praktika në Amerikë ishte që të mos bëje biopsi vetëm të pjesës që kishe hequr, por edhe të pjesës që kishte mbetur.

Herën e dytë në Amerikë ndërhyrja ishte radikale. Gishti iku, por rreziku për jetën nuk ekziston dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ishte shumë periudhë e vështirë, por mjekët atje punuan shumë, sidomos me gjendjen time psikologjike. Nuk m’u desh shumë kohë për rikuperim, por me ndihmuan shumë të gjithë. Familjarët janë ata që e përjetojnë më shumë, por duhet të jesh më e fortë edhe për ata…” – tregoi ajo, duke emocionuar publikun e Tv Klan.