Histori: “Duaje më shumë nënën tënde…!”

1326
0

Prindërit e mi u ndanë dhe kjo nuk ishte fatkeqësia më e madhe. Ka edhe gjëra shumë më të rënda se kaq, por kjo situatë duket dramatike, nëse e sheh nga aspekti i një fëmije. Isha në klasë të katërt kur e kuptova realisht se çfarë do të thoshte fjala “divorc”. Shihja shokët dhe shoqet e mia që i sillnin apo merrnin nga shkolla baballarët dhe mua më mungonte një gjë e tillë. Që kur isha në kopsht, e pyesja nënën time se ku ishte im atë. Ajo më tregohej e sinqertë. Gjithnjë më përgjigjej : “Babi yt është larguar nga unë, por jo nga ti”. Unë nuk doja të dëgjoja këngë apo muhabete ku flitej për familjet e lumtura. Ndihesha mirë që jetoja të paktën me një prind, kur kishte të tjerë që nuk kishin asnjë, por nga ana tjetër ndihesha keq që nuk e ndieja prezencën e tim ati.

Më vjen në mendje dita ime e parë e shkollës. Do të nisja klasën e parë dhe mami po më shoqëronte për në shkollë. Ajo po fliste në telefon me tim atë dhe po i thoshte se kishin kaluar plot 5 vite që kur më kishte takuar për herë të fundit. Më kaloi telefonin që unë të flisja me tim atë dhe ai më premtoi se do më takonte. Kaluan dhe dy vite të tjera, derisa ai më tha se donte të më shihte. Babi im kishte krijuar një familje të re në Itali dhe më tha se në verë do më bënte dokumentat që të më merrte me pushime andej. Normalisht, si një fëmijë që isha, gjithçka më dukej shumë e bukur. Më dukej sikur ajo periudhë do mbushte boshllëkun që ndieja në vite për tim atë.

Verën pasi mbylla klasën e tretë, ai erdhi. E mbajti premtimin e tij dhe u nisëm në Itali. Atje njoha gruan e tij të re dhe mësova se kisha edhe një vëlla 6 vjeç. Unë isha 10 vjeç në atë kohë. Mbaj mend që kur babi ishte në punë, gruaja e tij e re sillej shumë keq me mua. Nuk më jepte për të ngrënë, dilte me djalin e saj dhe mua më kyçte në shtëpi, nuk më fliste fare dhe të vetmet momente kur ndihesha mirë, ishin ato kur im atë kthehej nga puna dhe dilnim përpara se nata të mbërrinte dhe ata të debatonin që ai të më kthente në Shqipëri.

Divorci i prindërve më kishte rritur para kohe dhe unë arrija ta kuptoja që isha i tepërt në atë shtëpi. Pas një jave i kërkova babit të më kthente në Shqipëri. U zura me të që të më plotësonte dëshirën që kisha dhe shihja ndërkohë që e shoqja e tij qeshte me ironi.

Pas dy ditësh kthehem në Shqipëri dhe takoj mamin tim. Më kishte marrë shumë malli për të. Ajo më priti me krahët hapur dhe filloi të qante kur më përqafoi. Më dukej vetja si një idiot që kisha preferuar të ikja në Itali, në vend që atë javë ta kaloja këtu me mamanë time dhe të kënaqeshim. Preferova një vend të ri ku do të ndihesha i përbuzur në vend që të rrija në Shqipëri me mamanë që më donte.

Unë tim atë e doja dhe e dua. Ai është i pazëvendësueshëm në jetën e çdo fëmije. Unë e pranova pavarësisht largimit të tij dhe faktit që e la mamanë time të vetme me një fëmijë dy vjeç në Shqipëri. Unë nuk i kam thënë atij se më mungon shumë, sepse e dua. Nuk i kam thënë as mamasë se me të mund të diskutoja gjëra që me mamin nuk mundem t’i diskutoj dot, sepse e di që do të ndihet keq. Ajo përherë është përpjekur të jetë edhe nënë, edhe baba për mua. Ka punuar edhe dy punë që të më siguronte gjithë kushtet e nevojshme dhe që mua të mos më mungonte asgjë.

Mirëpo, me kalimin e viteve arrin t’i kuptosh më mirë situatat, njerëzit dhe mbi të gjitha, arrin të njohësh më mirë veten tënde. Unë po e kuptoj se si kanë qenë gjërat dhe di t’i vlerësoj ato për vlerën që kanë. Tani e di edhe se si t’i përgjigjem pyetjes ngacmuese që na bënin të gjithë kur ishim të vegjël se cilin prind donim më tepër. Unë dua më tepër mamanë time, sepse nëse im atë do të më donte aq sa unë e dua, nuk do të më telefononte një herë ne muaj. Nga ana tjetër, nëna ime ishte një nënë e divorcuar në moshë shumë të re. Ajo nuk zgjodhi të jetonte jetën e saj me dikë tjetër duke më lënë mua në mes të katër rrugëve, siç e bëri im atë duke u larguar më një femër tjetër… / bota.al