Apeli rrënqethës i Suelit: Të gjithë shokët hanë, vetëm unë nuk ha, rri vetëm. Motrën e hutoj me përralla kur ka uri..

1165
0

Çdo herë që bie shi, Sueli dhe Ina zgjohen me këmbët e lagura. Dhe ashtu me këpucët e grisura 13-vjeçari shkon në shkollë. Kurse Ina, 4 vjeçe mes të ftohtit të acartë luan me të vetmen lodër që i kanë dhuruar. Familja Mimini jetojnë në Bllacë të Pogradecit në një dhomë të ftohtë. Nuk kanë asnjë të ardhur, marrin vetëm një ndihmë ekonomike prej 30 mijë lekësh të vjetra. Por, kjo nuk mjafton për të ngrënë, e aq më pak për të larë borxhet.

“U sëmurë çupa, kishte grykët, u sëmurë. Nuk kisha ilaçe, me çaj. Hiç, nuk kishim gjë neve. 30 mijë lekë marrim, ku dalin ato. Djali ikën pa bukë në shkollë. Ndjehem keq që nuk kam çfarë t’i jap fëmijëve. Me borxhe i kam marr ushqimet, nuk dalin. Kur bie shi mbushet e gjithë shtëpia me ujë, e heqim me kova. I bëj një thirrje të gjithëve se jemi shumë keq. Mos të rrimë më këtu në këtë të ftohtë,”-rrëfehet Klodiana për Tirana Today, të cilës i lexohet në sy mungesa e shpresës.

Urimi, burri i shtëpisë është i sëmurë dhe e ka të pamundur të punojë. Ndaj edhe Sueli edhe pse është ende fëmijë, ndjen nën supe peshën e të qenurit shtylla e shtëpisë. Por, realiteti kur përballet me bashkëmoshatarët e vetë është shumë i vështirë për të.

“Kur dal nga shtëpia që iki në shkollë, iki pa ngrënë. Të gjithë hanë, vetëm unë nuk ha. Kur të tjerët hanë, unë rri vetëm. Më merr shumë uria. Mami mërzitet shumë kur ne nuk kemi bukë, mundohet të na gatuajë, por këtu nuk kemi asgjë. Unë kam qarë, për bukë.

Babi është i sëmurë, por unë e ndihmoj për të mbledhur dru për dimrin. Drunjtë i mbaj unë. Unë dua të mësoj një zanat që të fitoj lekë për të ngrënë bukën e gojës. Ajo që do të doja më shumë është të kem bukë dhe të bëhem si gjithë shokët e tjerë.”

Në apelin e publikuar nga fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, Sueli bën një thirrje drithërues për të gjithë shqiptarët. Ai kërkon vetëm t’i bëjë realitet përrallën që i thotë motrës çdo natë. Të kenë një shtëpi të ngrohtë dhe të mos qëndrojnë më për ditë të tëra pa ngrënë bukë.

“Neve flemë këtu të katërt dhe mbulohemi vetëm me këtë batanije. Dhe për tu larë, lahemi jashtë sepse banjë nuk kemi. Kur e mendoj një shtëpi të re, imagjinoj sikur të ketë një dhomë gjumi dhe një ndenje, që të rrimë ngrohtë.

Sa herë unë e vë motrën në gjumë, i tregoj përralla se do të bëhemi me një shtëpi të re. Motra nuk i kupton hallet e shtëpisë dhe do të hajë, të vishet, të luajë më lodra. Vetëm kur kam qenë i vogël kisha tre lodra. Kam shumë qejf t’i blej lodra motrës, por nuk kam lekë. Unë nuk dua që dhe motra ime të rritet, siç jam rritur unë. Prandaj ju bëj thirrje të na ndihmoni sado pak.”