Dhjetëra e mijëra grekë protestuan në Athinë kundër marrëveshjes me Maqedoninë për emrin, që zgjidh mosmarrëveshjen mes dy vendeve dhe që pritet të votohet nga Parlamenti grek, javën e ardhshme.
Pak pasi protesta filloi, rreth orës 13:00, policia nisi të përdorte gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit jashtë godinës së Parlamentit, që thërrisnin “Maqedonia është greke” dhe valëvisnin flamuj grekë.
Ndërkohë që disa grupe ekstremistësh sulmuan verbalisht apo edhe fizikisht trupat e gazetarëve, përfshirë edhe ekipin e Top Channel gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga protesta.
Marrëveshja e Prespës është miratuar tashmë nga Parlamenti maqedonas dhe tani është radha e Greqisë për veprim. Marrëveshja u depozitua të shtunën në Parlament dhe nga e hëna nisin diskutimet që do të çojnë në miratimin apo jo të saj. Ndërsa qeveria dhe aleatët e saj po bëjnë përllogaritjet për gjetjen e votave të nevojshme, opozita është kundër dhe thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Protesta ishte një nga më të mëdhatë e mbajtura në Athinë në lidhje me marrëveshjen për emrin e Maqedonisë. Më shumë se 2000 policë ishin në dispozicion e përveç tyre edhe dronë, helikopterë dhe pajisjet e ujit me presion.Top Channel