“Nuk e mbushim asnjëherë barkun”, marrin fund vuajtjet e familjes Harizi (Video)

639
0

Më në fund shpresë për familjen Harizi në Kamëz. Kushtet tepër të vështira ku jetonin dhe vështirësitë ekonomike, bënë që Klajdi, një nga fëmijët, të shtrohej në Sanatorium me ftohje të rëndë për shkak të lagështirës në banesë.

“Shtëpia është krejt lagështirë, unë nuk kam ku të mësoj, s’kam ku t’i bëj detyrat. Shoqet e mia përherë kur e shikojnë, thonë mos u mërzit se do ta bëjnë. Edhe rroba nuk kemi mjaftueshëm, librat na lagen përherë. Nuk kam çfarë të them tjetër, veç dua një shtëpi, kaq”, thotë vajza e vogël e familjes Harizi.

Kurse i ati i fëmijëve, nuk mund të përmbajë lotët dhe apelon për ndihmë.

“Vit për vit kemi përmbytje të mëdha jashtë mase. Çunin e kam pasur në spital në gjendje shumë të rëndë. Dhe babain e kam sëmurë, gruan e kam me depresion. Çdo gjë që marrim, ushqime, na mbyten të gjitha. Sa herë që bie shi, bie brenda”, thotë ai.

Djali i familjes shprehet se mezi munden edhe të ushqehen për shkak të mjerimit që i ka kapluar.

“I lutemi të gjithë shqiptarëve që të na ndihmojnë për shtëpinë. Edhe vet kam qenë 1 muaj e gjysmë në spital për shkak të lagështirës së tepërt. S’kemi çfarë të bëjmë. Nuk jetohet kështu. S’kam as ku të fle. Dua të jetoj si gjithë shokët dhe shoqet. As për të ngrënë nuk e ngopim asnjëherë barkun. Babi është pa punë. Mami që është e sëmurë është e papunë”, thotë Klajdi.

Por, tashmë ky realitet i hidhur i përket të shkuarës. Emisioni “Stop” dhe “Fundjavë Ndryshe” i kanë rikthyer buzëqeshjen familjes Harizi në Kamëz. Ata kanë një shtëpi të re me të gjitha kushtet e nevojshme dhe pa lagështirë. Për këtë familje kontribuuan disa biznese e donatorë, si dhe banorët e rrugës “Mujo Ulqinaku” në Kamëz. /tvklan.al