I shumëkerkuari Kelmend Balili është vetëdorëzuar këtë të martë në polici. Ai mësohet se ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Vetëdorëzimi i tij vjen vetëm 2 javë para përfundimit të afateve të hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” akuzohet nga prokuroria për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Balili ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për më shumë se dy vite dhe gjatë kësaj kohe nuk ishte bërë e mundur që të prangosej, edhe pse ka pasur disa aksione policore. Prokuroria shqiptare për Balilin ka të faktuar të paktën një episod trafiku nga Shqipëria drejt Greqisë.
Grupi i Kelmend Balilit po hetohet për 6 raste të trafikut në sasi të mëdha drejt Europës. Bazuar në hetime, Prokuroria greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka arritur të vërtetojë se grupi koordinohej nga Dhimitër Poti i arrestuar në Belgjikë dy vite më parë.
Pak minuta pas vetëdorëzimit të Klement Balilit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj doli në një konferencë për mediat. Duke theksuar se, arrestimi erdhi si një rezultat i një operacioni të ndërlikuar dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët, ai foli dhe për “kushtin e vendosur” nga Balili.
Duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve se çfarë ka kërkuar Balili, Lleshaj u shpreh se ai ka kërkuar sigurinë e një procesi të drejtë ligjore. “Për punë operative, gjurmuse për ndalimin e personave të këtij karatakeri është e qartë se nuk ka një dorëzim. Është një operacion i thellë dhe i ndërlikuar, ku në bashkëpunim dhe me ndërkombëtarët të cilët kanë mundësuar që personi në fjalë të dorëzohet në policinë e shtetit.”- u shpreh Lleshaj.