Programi “Dua të të bëj të lumur” solli këtë mbrëmje historinë e një djali të cilin e ëma e kishte braktisur në jetimore prej 10 vitesh. Ardiasi mbrëmjen e sotme kishte ftuar nënën e tij, Samijen për ta pyetur se pse e kishte braktisur në jetimore dhe se kush ishte babai i tij.
Samija rrëfeu se ajo nuk kishte pasur mundësi ekonomike për të mbajtur 3 fëmijët e saj dhe për këtë arsye i kishte dërguar në jetimore. Ajo tregoi që babai i Ardiasit nuk ishte i aftë që të kujdesej për familjen, madje edhe paratë që fitonte nuk i dërgonte në shtëpi. Për këtë arsye Samija ishte divorcuar kur Ardiasi ishte vetëm 6- muajsh dhe ai nuk e njohu kurrë babain e tij.
Ardiasi në studio i kërkoi Samijes që të jetonin sëbashku dhe të mos qëndronte më në jetimore. “Ma pse më keni çuar në shtëpinë e fëmijës? Gjithashtu unë dua që të bashkoj familjen, prandaj dua të njoh babin!”,- ishin fjalët me të cilat i’u drejtua ai nënës së tij.
Samia refuzoi t’i tregonte Ardiasit se kush ishte babai dhe sipas saj ai nuk e meritonte dashurinë e tyre. Pas ndihmës të premtuar nga programi “Dua të të bëj të lumtur”, Samija pranoi që Ardiasi të jetonte me të. Në fund nënë e bir u takuan pas shumë kohësh./Top Channel