Mediat greke kanë zbardhur dëshminë dhënë në polici nga i dashuri i Anxhelina Petros në Korfuz. Ai ka treguar bisedën e fundit që ka bërë me 29-vjeçaren shqiptare.
Sikurse ka deklaruar në polici, çifti ka qëndruar së bashku për rreth 13 muaj. Anxhelina donte të shkonte të vizitonte babain e saj për shkak të festave. Ndërsa i dashuri i saj nuk ishte dakord që ajo të shkonte, pasi Anxhelina nuk kishte raporte të mira me të atin.
Në orën 20:45, i dashuri afgan kontaktoi 29-vjeçaren për t’u siguruar që kishte mbërritur tek banesa e babait të saj. Kjo ishte telefonata e parë që mesa duket revoltoi Aleko Petron dhe nxiti debatin mes tyre, pasi 52-vjeçari ishte kundër lidhjes së vajzës së tij me emigrantin afgan.
Në orën 21:23, i dashuri telefonoi përsëri Anxhelinën. Biseda mes tyre zgjati 26 sekonda. E pyeti si po kalonte, kurse 29-vjeçarja shqiptare i tha se ndodhej në shtëpinë e babait dhe nga zhurmat në sfond kuptoi që Anxhelina po ngjiste disa shkallë. Më pas vajza shqiptare i kërkoi të dashurit që të mbyllte telefonin pasi po i bërtiste babai i saj, Aleko. Vajza u dëgjua duke i thënë të atit: “Është e ndaluar që t’i flas edhe në telefon”? Më pas, linja u mbyll.
I dashuri afgan i tha gjithashtu policisë se me Anxhelinën kishin rënë dakord që pasi të largohej nga banesa e të atit, të takoheshin në një pikë të caktuar, por nuk mbërriti kurrë në atë destinacion.