32-vjecari nga Bulqiza, i cili ishte shpallur i zhdukur nga familjarët që prej prillit të këtij viti, gjendet i pajetë
Trupi i Artur Lleshit është gjetur nga banorët gjysmë i dekompozuar pas 9 muajsh në një tunel në fshatin Gjuras të Bulqizës. 32-vjecari është zhdukur që prej muajit prill të këtij viti, por denoncimi në polici është bërë në korrik.
“Gjatë mesditës të datës 29.12.2018, në fshatin Gjuras, Shupenzë, është gjetur një trup njeriu (kufomë), gjysmë e dekompozuar. Në afërsi të kufomës është gjetur një kartë identiteti me gjeneralitetet qe i përkasin shtetasit A.Ll, 31 vjeç, cili ka qenë i larguar nga banesa që në muajin Korrik. Grupi hetimor vijon hetimet në vendngjarje”- thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas familjarëve, Artur Lleshi ishte nisur me datë 10 Prill të këtij viti për Maqedoni ku dhe punonte prej 3 vitesh në Gostivar si çoban ndërsa që prej asaj date nuk ka patur asnjë kontakt me familjen.
Bashkëshortja Leonora Lleshi ka thënë më herët në një prononcim për “BalkanWeb” se burri i saj Arturi ka hyrë në Shqipëri me datë 2 Prill dhe me datë 10 është nisur sërish drejt Maqedonisë dhe se nuk ka pasur asnjë kontakt me të pas kesaj date.