Janë njerëz si gjithë ne të tjerët, por megjithatë kanë një peshë shumë më të madhe se pjesa më e madhe e jona: Kanë marrë përsipër të jenë nën armë dhe të sigurojnë rendin që ne të jetojmë të qetë.
Por a mund të funksionojë kjo, kur plot 80 për qind e forcave policore shqiptare duan ta braktisin një orë e më parë vendin dhe madje kanë aplikuar për lotari amerikane dhe të tjera lotari emigracioni?
Pyetja nuk kërkon përgjigje, sepse praktikisht këta punonjës policie janë me mendje të ngritur për të ikur me të katra nga ky vend ku shërbejnë.
Faktin tronditës e evidenton edhe Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë (SSHPSH).
Këto ditë, kjo sindikatë i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama. Në letër, shefi i qeverisë informohet mbi situatën aktuale të punonjësve të policisë si dhe i parashtrohen disa kërkesa me karakter ekonomik.
Sindikata e Policisë vëren se 80% e efektivëve kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane, ndërkohë që 70% familjeve të policëve jetojnë nën minimumin jetik, – thuhet në shkresë.
Në letër thuhet se kushtet e vështira në punë janë bërë të papërballueshme për ata dhe familjet e tyre.
Shkresa e SSHPSH në emër të shtatë mijë efektivëve të policisë së Shtetit, përmban 11 pika në formë kërkese.
Së pari kërkohet rritje pagash pasi sikurse thonë kanë prej mëse katër vjetësh ose që nga viti 2014 që pagat e tyre kanë mbetur në vendnumëro. SSHPSH thekson se efektivët e policisë shqiptare janë ndjeshëm më pak të paguar në krahasim me homologët evropianë.
Po ashtu SSHPSH kërkon që çdo punonjës policie të marrë në fund të vitit një pagë të trembëdhjetë.
Gjithashtu kërkojnë që t’u paguhen orët shtesë, vështirësitë, ditët e pushimeve të javës si dhe të festave.
Për më tepër, që prej dy vjetësh nuk u janë paguar as dietat e prapambetura.
Ndërkohë, për punonjësit e policisë së Tiranës, orët suplementare nuk janë paguar që nga viti 2016 për disa nga gjashtë komisariatet.
Ndër 11 pikat veçohet dhe kërkesa që të bëhet sigurimi i jetës në rast aksidenti në punë, pra në krye të detyrës, ashtu siç u jepet siguracion i plotë edhe forcave shqiptare që shkojnë në misione paqeruajtëse nëpër botë.
Sindikata kërkon që për familjet e policëve që përshihen në fatkeqësi me humbje jete gjatë periudhës së punës, të garantohet përfitimi i banesave falas.
Shkresa ka edhe një kërkesë tjetër, që tregon qartë edhe një herë se në çfarë katandisje është policia shqiptare: Uniforma blu të sigurohet falas dhe zëvendësimi i saj të bëhet pa pagesë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani.