83 veprimet e pabesueshme që do të ndalohen në Tiranë, gjoba deri 200 mijë lekë për shkelësit

723
0

Bashkia e Tiranës ka shpalosur 83 veprime që do të konsiderohen shkelje në kryeqytet dhe do të gjobiten me gjoba.

Në këto veprime bëjnë pjesë si zënia e hapësirave publike, zënia e trotuareve, hedhja e objekteve të forta, përdorimi i banderolave, vazot e luleve të pasiguruara, përdorimi i fishekzjarrëve, zhurmat, dalja zhveshur/nudo në mjedise publike, dehja e me radhë si këto.

Në mbledhjen e ardhshme, Bashkia Tiranë pritet të miratojë vendimin për Kontrollin e Territorit të Tiranës.

Më poshtë nenet dhe shpjegimet përkatëse:

MË POSHTË JANË TË PLOTA VEPRIMET QË KONSIDEROHEN SI SHKELJE ADMINISTRATIVE

Neni 7

Zënia në kundërshtim me rregullat të hapësirës publike
Ndalohet zënia e hapësirës publike dhe hapësirave mbi apo nën të, në territorin e Bashkisë së Tiranës, qoftë edhe përkohësisht, me çfarëdo lloj sendi apo objekti pa lejen apo autorizimin e bashkisë apo strukturës përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre.
Zënia e hapësirës publike, veprimi apo mosveprimi në kundërshtim me normat detyruese dhe rregullat e miratuara nga Bashkia e Tiranës dhe legjislacioni në fuqi, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas këtij vendimi, bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore për kundërvajtjet administrative.
Në rastin e zënies së hapësirës publike në kundërshtim me rregullat e vendosura nga Bashkia e Tiranës apo në rastet kur subjekti e ushtron ose zhvillon aktivitetin në këto hapësira publike pa lejen përkatëse, strukturat konstatuese, veprojnë në përputhje me sanksionet administrative të parashikuara në nenin 15 të këtij vendimi.
Në rastin kur subjekti kundërvajtjes rezulton, se është i padënuar administrativisht për shkeljen e konstatuar, atëherë struktura konstatuese vepron duke vendosur fillimisht dënimin administrativ “Paralajmërimit me shkrim”, sipas nenit 15, pika 1, shkronja “a’ të këtij vendimi.
Në rastin kur, subjekti vijon të kryej aktivitetin apo rezulton të jetë përsëritës i të njëjtës shkelje administrative, struktura konstatuese vendos dënim me gjobë, duke mbajtur në konsideratë rrethanat lehtësuese dhe rënduese, sipas parashikimeve të këtij vendimi.
Subjekti ambulant, i cili refuzon të identifikohet apo në rastet kur struktura konstatuese e ka të vështirë e të pamundur identifikimin e tij, ka të drejtën të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit për kryerjen e kontrollit të identitetit të personit që ka kryer kundërvajtjen administrative.
Në rastin e kundërvajtësit, identifikimi i të cilit nuk mund të vërtetohet me anë të dokumenteve identifikuese, Policia Bashkiake liron hapësirën publike dhe vendos e pasqyron në procesverbal bllokimin e mallit dhe ruajtjen e tij për një afat kohor prej 24 orësh nga momenti i konstatimit të kundërvajtjes administrative. Procesverbali/akt konstatimi përpilohet dhe nënshkruhet konform pikës 1 të nenit 13 dhe pikës 1 e 2 të nenit 14 të ligjit nr.10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.
Me paraqitjen e dokumenteve identifikues dhe kryerjen e procedurës përkatëse administrative, Policia Bashkiake nëpërmjet mbajtjes së procesverbalit përkatës, bën zhbllokimin dhe ja dorëzon mallin e bllokuar subjektit kundërvajtjes.
Pas kalimit të afatit të parashikuar në pikën 7 të këtij neni, Policia Bashkiake, me urdhër të kryeinspektorit ngre një komision të përbërë prej jo më pak se tre punonjës për asgjësimin e mallit të bllokuar. Çdo veprim i komisionit dokumentohet me procesverbalin përkatës të asgjësimit.
E njëjta procedurë ndiqet nga Policia Bashkiake edhe në rastin kur kundërvajtësi është i identifikueshëm, por e ushtron aktivitetin dhe zënien e hapësirës publike në mënyrë të paautorizuar nga strukturat përkatëse.
Neni 8
Kundërvajtjet administrative në fushën sigurisë
Për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e sigurisë publike, këto veprime:

Zënia e trotuareve, rrugës dhe rrugëkalimeve që pengojnë lëvizjen për njerëzit dhe automjetet, pa miratimin e strukturës përgjegjëse;
Hedhja e objekteve dhe sendeve të forta, që pengojnë zhvillimin normal të veprimtarive social kulturore, rekreative apo promovuese që zhvillohen në hapësirat publike;
Përdorimi i banderolave dhe thirrjeve me përmbajtje fyese apo denigruese gjatë zhvillimit të aktiviteteve apo veprimtarive sportive, kulturore, fetare, artistike, si dhe gjatë zhvillimit të tubimeve dhe manifestimeve;
ç) Hyrja e personave në ambientet ku zhvillohen aktivitete publike, rekreative apo promovuese, pa autorizimin e Bashkisë së Tiranës;

Braktisja e automjeteve ose i sendeve të tjera në rrugë, mjedise publike apo ambienteve të përbashkëta;
Cenimi nëpërmjet bërjes së grafiteve ose shkrimeve, ndotjes me substanca të ndryshme apo me gërvishtja e ndërtesave private e publike apo objekteve të tjera publike, përveç rasteve kur kryhet në kuadër të veprimtarive artistike dhe me miratimin e strukturës përgjegjëse;
Vendosja me ngjitje, kapsim apo çdo mënyrë tjetër, e afisheve ose postareve të ndryshme në ndërtesat private e publike apo në objekte të tjera publike, pa miratimin e strukturës përgjegjëse;
Kryerja e veprimeve apo mosveprimeve, që vënë në rrezik jetën, shëndetin apo pronën e të tjerëve përmes vendosjes pa masa sigurie të vazove të luleve apo çdo send tjetër në parvazet e dritareve, ballkoneve, në tarraca apo në çdo pjesë tjetër të mjediseve publike, të përbashkëta apo private;
Përdorimi i lëndëve piroteknike apo fishekzjarrëve në çdo mënyrë që vë në rrezik shëndetin, jetën, pronën apo ambientin, në kundërshtim me legjislacionin për përdorimin e tyre;
Lëvizja e automjeteve në orët dhe vendet e rezervuara për këmbësorët;
Dëmtimi i mjediseve publike apo të përbashkëta, duke mos u ndalur vetëm në: shkallët e fasadat e pallateve, lulishteve, stolave, shatërvanëve, monumenteve, statujave dhe këndeve të lojërave;
Vendosja e pengesave të çfarëdo lloji për kufizim shpejtësie të lëvizjes të automjeteve si dhe ndërtimi i objekteve përkujtimore përgjatë rrugës, pa miratimin e organit përgjegjës publik;
Kryerja e çfarëdo veprimtarie në afërsi dhe pranë rrugëve, që rrezikon sigurinë rrugore, jashtë normave të sigurisë të përcaktuara nga Kodit Rrugor dhe pa miratimin e organit përgjegjës publik;
Zënia e vend parkimeve publike dhe vendeve ku lejohet parkimi në hapësirat pranë blloqeve të banesave me automjete më qëllim ekspozimin/ tregtimin e tyre apo qëllime te tjera biznesi;
Qarkullimi me mjete motorike, biçikleta në shëtitore, parqe apo vende pushimi për qytetaret në orët e ndaluara sipas rregullave të përcaktuara nga Bashkia e Tiranës dhe strukturat përgjegjëse të saj;
Si edhe çdo veprim apo mosveprim tjetër i cilësuar si kundërvajtje administrative, i parashikuar në aktet nënligjore/normative të miratuar nga këshillit bashkiak ose kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Neni 9
Kundërvajtjet administrative në fushën e qetësisë publike dhe normave detyruese të bashkëjetesës
Për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e qetësisë publike dhe normave detyruese të bashkëjetesës, këto veprime:

Shkaktimi i zhurmave shqetësuese në mjediset publike nga muzika në bar-kafe, restorante dhe/ose lokale të tjera shërbimi, jashtë orareve të përcaktuara nga lejet përkatëse dhe legjislacioni në fuqi;
Shkaktimi i zhurmave shqetësuese të çfarëdo lloji në ambientet e përbashkëta të banimit;
Shkaktimi i zhurmave shqetësuese, në zonat e banuara nëpërmjet borive, muzikës së lartë të kasetofonëve në makina;
ç. Shkaktimi i zhurmave shqetësuese nga punimet/ndërtime në mjediset publike dhe private, të kryera jashtë orareve të përcaktuara nga rregullat e fqinjësisë së mirë apo pa miratimin e organit përgjegjës publik;

Djegia e mbeturinave apo ndezja e zjarreve në zonat e banuara, lulishte apo parqe në vende të papërcaktuara për këtë qëllim dhe pa lejen e strukturave përgjegjëse;
Përdorimi i materialeve apo sendeve të ndryshme imituese, tymuese, rrezeve laser në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike;
Kryerja e garave të hipizmit në mjedise publike në qendrat urbane, parqe e lulishte në vende të pa miratuara për këtë qëllim nga organi përgjegjës publik;
Zhvillimi i lojërave me top apo lojërave të tjera që cenojnë sigurinë dhe qetësinë në zonat e pushuesve në hapësira publike apo ambientet e përbashkëta, përveçse kur këto zhvillohen me leje të strukturës përgjegjëse apo në mjedise të posaçme të përcaktuara për këtë qëllim;
Si edhe çdo veprim apo mosveprim tjetër i cilësuar si kundërvajtje parashikuar në aktet nënligjore të miratuar nga këshilli bashkiak ose kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Neni 10
Kundërvajtjet administrative kundër moralit publik
Për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e moralit publik, këto veprime:

Dalja zhveshur/nudo në mjedise publike;
Urinimi, defekimi apo të pështyri në mjedise publike;
Të bërtiturit me fjalë dhe shprehje vulgare apo kryerja e veprimeve me gjeste vulgare në mjedise publike;
Veprimet apo sjelljet e çdo natyre që kanë për qëllim ngacmimin, fyerjen apo talljen ndaj njerëzve më aftësi të kufizuara, të moshuarve dhe të pambrojturve.
Dehja në mjedise të hapura dhe në mjedise të mbyllura publike kur shoqërohet me veprime që krijojnë shqetësim për të tjerët;
Kërkimi i lëmoshës në mjedise publike dhe fshirja ose pastrimi i xhamave të makinave në semafor;
Si edhe çdo veprim apo mosveprim tjetër i cilësuar si kundërvajtje parashikuar në aktet nënligjore të miratuar nga këshillit bashkiak ose kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre si klube të natës/ disko (striptizëm), të cilat janë burim i ndotjes akustike dhe pamore për banorët dhe qytetin e Tiranës, janë të detyruara të kryejnë aktivitetin e tyre jashtë perimetrit të caktuar sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi.
Neni 11
Kundërvajtjet administrative në fushën e mjedisit
Për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e mjedisit, këto veprime:

Djegia e mbetjeve urbane në kontejnerë, në Vend Grumbullimin e Mbetjeve (VGM – të), në territore private dhe publike, brenda vijës së verdhë të qytetit.
Dorëzimi (hedhja) i mbetjeve nga shërbimi i pastrimit në pusetat e elektrikut, ujësjellësit, basenet ujore, etj.
Dorëzimi i mbetjeve të vëllimshme, mbetjeve të ndërtimit, në kontenierët apo në vendet e grumbullimit të mbetjeve urbane.
Dorëzimi ditor i mbetjeve urbane në një volum më të madh se ¼ e volumit të një kontejneri publik.
Dorëzimi në kontejnerë apo në mjetet e përdorura për grumbullimin e mbetjeve, i mbetjeve të lëngëta, me qese të zgjidhura apo të palidhura mira, i substancave të ngrohta, ndezëse, të rrezikshme për më tepër mbetje të forta apo kafshëve të ngordhura.
Dorëzimi i mbetjeve nga aktivitete prodhimi, përpunimi, trajtimi, etj. si dhe mbetje të papranueshme të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, në kontejnerët publik apo në Vend Grumbullimin e Mbetjeve (VGM – të).
Hedhja, derdhja ne trotuare e ujërave dhe mbetjeve të ndryshme nga pastrimi apo larja e lokaleve të shërbimit, dyqaneve, etj.
Dorëzimi i mbetjeve urbane jashtë kontejnerëve.
Hedhja e mbetjeve të çastit, ambalazhet, etj. hapësira publike apo të gjelbra.
Mungesa e koshit të posaçëm pranë subjektit të shërbimit tregtar.
Dorëzimi i pasistemuar, i papalosur apo i pambyllur në qese i mbetjeve tregtarë, si dhe mosdorëzimi i tyre në pikat e grumbullimit të përcaktuara nga Bashkia.
Moskryerja e pastrimit, lejimi i ndotjes dhe mosmirëmbajtja e territoreve private të zbuluara, për të larguar në çdo mënyrë mbeturinat.
Kryerja e selektimit manual, kërkimit apo marrje të mbetjeve të dorëzuara në kontejnerë, etj. nga persona të paautorizuar.
Ndryshimi arbitrar i Vend Grumbullimit të Mbetjeve (VGM – ve), i kontejnerëve, i pikave të koshave dhe stacioneve të betonuara për hedhjen dhe dorëzimin e mbeturinave të përcaktuara nga Bashkia.
Hedhja, mbledhja dhe grumbullimi i materialeve, hekurishte apo çdo lloj mbetjeje dhe/ose të ricklueshme, në territore/hapësira publike apo dhe ambiente private që nuk janë miratuar nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim.
Fillimin e aktivitetit dhe ushtrimin e tij pa leje mjedisore, për të gjitha veprimtaritë që për shkak të natyrës së tyre përdorin vazhdimisht gjeneratorë/ventilatorë apo çdo pajisje që shkakton ndotje akustike, nëpërmjet lëshimit të zhurmës në mjediset dhe zonave të banuara, si:
Furra të prodhimit të bukës;
Gatimi dhe tregtimi i produkteve ushqimore të gatshme dhe gjysmë të gatshme;
Bare, restorante e lokale nate;
Dyqane/vende të tregtimit të kafshëve/shpendëve shtëpiake, të shoqërimit dhe të luksit.
Gomisteritë, lavazhet apo serviset që riparojnë mjete.
Shkelje të kryera në fushën e ndërtimit dhe të veprimtarive në funksion të saj, të shkaktuar nga subjektet ndërtues/investitorë, për kryerjen e veprimeve të mëposhtëm:
Ndotje e hapësirës publike nga gomat dhe pajisjet e automjeteve të tipeve dhe tonazheve të ndryshme, të cilat dalin nga kantieri i ndërtimit pa marrë masat për pastrimin e tyre.
Ndotje të hapësirës publike jashtë rrethimit të kantierit të ndërtimit, nga inerte apo materiale të tjera ndërtimore.
Krijimi i ndotjeve të hapësirave publike gjatë transportimit, për rastet kur kamionët të cilët transportojnë materiale ndërtimore, nuk janë të mbuluar;
Si edhe çdo veprim apo mosveprim tjetër i cilësuar si kundërvajtje administrative, parashikuar në aktet nënligjore/normative të miratuar nga këshillit bashkiak ose kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Neni 12
Kundërvajtjet administrative në fushën e infrastrukturës publike
Për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e infrastrukturës publike, këto veprime:

Ndërhyrje në rrjetin rrugor, si:
Dëmtim, çarje, ndotje dhe bllokim rruge;
Dëmtim, çarje, ndotje trotuari dhe dëmtim bordure;
Dëmtim, bllokim pusete, kunete, vjedhje kapaku/zgarë pusete.
Ndërhyrje në rrjetin elektrik rrugor dhe rrjetin e telefonisë, si:
Lidhjet e pamiratuara në kandelabrat apo rrjetin ajror;
Dëmtimi i shtyllave apo ndriçuesve;
Përdorimi i shtyllave si suport mbajtës/mbështetës për montimin e reklamave, kapjen e kabllove elektrikë, telefonik, internetit, etj.
Dëmtimi i traseve kabllore e linjave ajrore nga punimet që kryhen pranë tyre me ose pa leje, si dhe shkulja e shtyllave.
Ndërhyrjet në rrjetin ujësjellësit, si:
Lidhjet e pamiratuara në tubacion;
Dëmtimi i pusetave;
Dëmtimi i tubacioneve nga punimet që kryhen pranë tyre, me ose pa leje.
Ndërhyrjet në hapësirat publike dhe të gjelbër, si:
Dëmtim të hapësirës publike dhe të gjelbër, këputje, shkulje apo prerje: pemësh, shkurre e bimë dekorative, etj. në këto hapësira;
Vendosje postera reklamues pa leje, në: fasada, pemë, shtyllë, etj.
Vendosje tabelash, pankartash, banderola pa leje.
Si edhe çdo veprim apo mosveprim tjetër i cilësuar si kundërvajtje administrative, parashikuar në aktet nënligjore/normative të miratuar nga këshillit bashkiak ose kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Neni 13
Kundërvajtje administrative nga pronarët/kujdestarët, në fushën e zbatimit të normave detyruese të sjelljes së kafshëve/shpendëve, në njësitë individuale të banimit, ambientet në bashkëpronësi dhe hapësirat publike.
Për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative nga pronarët/kujdestarët në fushën e zbatimit të normave detyruese të sjelljes së kafshëve/shpendëve, në njësitë individuale të banimit, ambientet ne bashkëpronësi dhe hapësirat publike, këto veprime:

Të sigurojnë, që në ambientet e përbashkëta, në bashkëpronësi dhe hapësirat publike, kafshët/shpendët e tyre të mos paraqesin rrezik për njerëzit ose kafshët/shpendët e tjera, duke zbatuar detyrimin, që:
Qeni duhet të mbahet nga pronari/kujdestari, me rrip jo më të gjatë se 1.5 (një pikë pesë) metra.
Të vendosin maskat mbrojtëse për qentë e racave të rrezikshme: spic, hasky, rotvailer, pitbull, dobermen, qeni i sharrit, pastor, kangalli turk, bokser.
Të shmangin ndotjen e ambienteve të përbashkëta, në bashkëpronësi dhe hapësirave publike nga kafshët/shpendët e tyre, dhe në rast ndotje, të pastrojnë ambientin pas defektimit.
Të kryejnë vaksinimin e detyrueshëm vjetor kundër tërbimit.
Të vaksinojnë dhe kontrollojnë pranë mjekut të klinikës veterinare, kafshët/shpendët e shoqërimit dhe ato të luksit.
Të respektojnë mirëqenien e kafshëve/shpendëve të tyre.
Ndalohet kategorikisht, mbajtja në errësirë të plotë, të përhershme dhe/ose të lidhur gjatë gjithë kohës i kafshëve/shpendëve shtëpiake, të shoqërimit dhe të luksit.
Personat, të cilët mbajnë kafshë/shpendë shtëpiake, të shoqërimit apo të luksit, në banesa individuale apo në bashkëpronësi në zona të urbanizuara, janë të detyruar të mos lejojnë që ato të kryejnë ndotje dhe të shkaktojnë zhurma, duke u bërë shqetësim për pjesëtarët e tjerë të komunitetit, duke cenuar gëzimin e qetë të pronës së tyre.
Mbajtja dhe/ose rritja e kafshëve, bagëtisë ose shpendëve të çdo lloji, pavarësisht numrit është e ndaluar brenda të gjitha njësive të banimit ose pronës së përbashkët.
Mbajtja apo qarkullimi i kafshëve blegtoralë jo shtëpiake, në mjedise publike të qendrave urbane si: kuaj, lopë, dhen, dhi, derra, shpendë (pula) etj;
Ndërsen kafshët kundër njëra – tjetrës ose përdor kafshën për luftime a shfaqje, që shkaktojnë dhimbje, dëmtime, plagosje ose ngordhjen e tyre.
Si edhe çdo veprim apo mosveprim tjetër i cilësuar si kundërvajtje administrative, parashikuar në aktet nënligjore/normative të miratuar nga këshillit bashkiak ose kryetari i Bashkisë së Tiranës.
GJOBAT
Masat e sanksionimit me gjobë për kundërvajtjet administrative të parashikuara në këtë vendim:

Për kundërvajtjet në fushën sigurisë dhe rregullave të hapësirës publike të parashikuara në nenin 7 dhe nenin 8, Policia Bashkiake vendosë gjobë nga 1 000 ( një mijë) deri në 20 000 (njëzetmijë) lekë.
Për kundërvajtjet të parashikuara në nenin 9, Policia Bashkiake vendosë gjobë nga 1000 (një mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
Për kundërvajtjet të parashikuara në nenin 10, Policia Bashkiake vendosë gjobë nga 2 000 (dy mijë) deri në 10 000 (dhjetëmijë) lekë.
Për kundërvajtjet administrative në fushën e mjedisit, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë së Tiranës, do të vendosë gjobë:
Në masën 5 000 (pesëmijë) lekë, për konstatimet e parashikuara në pikën 1 të nenit 11 dhe për çdo rast të përsëritur kjo masë do të dyfishohet deri në vlerën maksimale prej 20 000 (njëzetmijë) lekë;
Në masën 20 000 (njëzetë mijë) lekë, për konstatim të shkeljeve të parashikuara në pikën 2 të nenit 11;
Në masën 20 000 (njëzetë mijë) lekë, për konstatim të shkeljeve të parashikuara në pikën 3 të nenit 11.
Për kundërvajtjet administrative në fushën e infrastrukturës publike, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit vendosë gjobë:
Në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë, për konstatimet e parashikuara në pikën 1 të nenit 12;
Në masën 20 000 (njëzetë mijë) lekë, për konstatimet e parashikuara në pikat 2, 3 dhe 4 të nenit 12;
Për kundërvajtje administrative nga pronarët/kujdestarët, në fushën e zbatimit të normave detyruese të sjelljes së kafshëve/shpendëve, në njësitë individuale të banimit, ambientet në bashkëpronësi dhe hapësirat publike, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë së Tiranës, do të vendosë gjobë:

Në masën 1 000 (njëmijë) lekë, për konstatimet e parashikuara në shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 13, masë e cila dyfishohet në rast të përsëritjes së shkeljes brenda një periudhe 3 (tre) mujore nga pronari/kujdestari i kafshëve/shpendëve;
Në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë, për konstatimet e parashikuara në shkronjën “b” të pikës 1 të nenit 13, masë e cila do të jetë e dyfishuar në rast të përsëritjes së shkeljes nga pronari/kujdestari i kafshëve/shpendëve;
Pavarësisht parashikimeve të pikës 4 dhe 5 të këtij neni, kur Policia Bashkiake konstaton në kryerje e sipër kundërvajtjen në fushën e infrastrukturës publike, vendos menjëherë dënimin me gjobë sipas parashikimeve të kësaj pike dhe në çdo rast njofton Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit për përllogaritjen e dëmit dhe shpërblimin e tij nga kundërvajtësi. Në këtë rast Policia Bashkiake vendos në dispozicion të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit një kopje të procesverbalit të gjobës