Italia ashpërson masat për emigrantët, ja çfarë parashikon ligji i ri

836
0

Italia do të ashpërsojë masat ndaj emigrantëve të paligjshmën.Parlamenti italian shndërroi në ligj dekretin e ministrit të Brendshëm Mateo Salvini, në fuqi prej Shtatorit.

Ligji i ri parashikon procedura të përshpejtuara dëbimi drejt vendeve të origjinës, veçanërisht për azilkërkuesit që kryejnë vepra penale.

Azil do t’u jepet vetëm atyre që u rrezikohet jeta në zona lufte apo persekutohen politikisht nga qeveritë e vendeve të origjinës.

Nga këto ndryshime rrezikohen nga dëbimi të paktën 20 mijë të huaj, 25% e numrit total të tyre që përfituan azil për arsye humanitare vitin e kaluar. Por zv/Kryeministri italian ka të tjera argumente në mbrojtje të ligjit.

“Lega dhe qeveria po zgjidhin probleme të pazgjidhura prej vitesh. Është një dekret që kufizon biznesin e emigracionit klandestin. Ky ligj i jep më shumë të drejta refugjatëve të vërtetë”.

Ligji është kritikuar ashpër nga demokratët në opozitë, të cilët në shenjë proteste mbuluan fytyrën me maska, që deputetët e shpjeguan me faktin se ky ligj nuk do t’u njohë identitetin dhe fytyrën dhjetëra mijëra emigrantëve që jetojnë e punojnë në Itali./FaxWeb/