Më 25 Shtator, emisioni “Stop” në Tv Klan trajtoi rastin e një familje në Kashar që jetonte në varfëri, ndërsa fëmijëve as shokët në shkollë nuk u afroheshin. Bëhet fjalë për familjen e Ismail Shimës.
Dy javë pas transmetimit të këtij rasti, kompania “Balfin Grup” dhe presidenti i saj Samir Mane nisën ndërtimet për rikonstruksionin e shtëpisë së familjes Shima. Ndërsa kryefamiljari Ismail, mundi të gjente punë.
Sot, shtëpia e kësaj familje është rikonstruktuar tërësisht me të gjitha kushtet e nevojshme falë kontributit të “Balfin Grup” dhe presidentit të kësaj kompanie Samir Mane. Ky i fundit bashkë me presidentin e “Fundjavë ndryshe” Arbër Hajdari dhe drejtuesit e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj ishin në shtëpinë e re dhe ndanë gëzimin me familjen Shima.
Samir Mane: Gjë shumë me vlerë kjo që keni bërë dhe unë jam vërtetë i emocionuar. Padyshim që ana financiare është një gjë e rëndësishme, por dhe gjetja e këtyre rasteve dhe evidentimi ajo që bën Saimiri dhe Stopi në përgjithësi është gjë shumë e rëndësishme. Dhe shpresoj që do të kemi të tjera bashkëpunime. Faleminderit se unë pas Stopin dhe Arbrin nuk do ta gjeja dot këtë mundësi.
Saimir Kodra: Shkas u bë vërtetë lançimi i Fundjavës me emisionin Stop, por të gjesh mbështetje në njerëz të mirë si puna juaj nuk është dhe aq e lehtë sot në këtë vend sepse kanë humbur shumë vlera. Njerëz me lekë sot në këtë vend nuk është se s’ka, por ndoshta është momenti që të bëjmë një apel shumë të fortë, të kthejmë vëmendjen në familje të varfëra sepse fatkeqësisht nuk është se janë pak.
Gentjan Zenelaj: I falenderoj të gjithë njerëzit që zgjohen një ditë në mëngjes edhe mendojnë për disa njerëz të tjerë që nuk i përkasin as familjes së tyre, as rrethit të tyre shoqëror. Pra njerëz të cilët nuk i njohin fare. Dhe këtu qëndron madhështia e gjithë bamirësisë dhe Arbri ka krijuar një shprehje shumë të bukur që bamirësia nuk të varfëron.
Arbër Hajdari: Përveç se të falenderoj z.Mane për kontributin që ka dhënë dhe emisionin “Stop” që javë për javë nuk po i ndahet problematikave të njerëzve, s’na mbetet gjë tjetër vetëm t’u themi fëmijëve ta gëzojnë shtëpinë edhe të përgatitemi për rastin tjetër.
Kurse kryefamiljari Ismail Shima ka falenderuar të gjithë që kontribuuan për ndërtimin e shtëpisë së tyre, duke u dhënë kështu shpresë fëmijëve për të ardhmen dhe të rriten si të gjithë moshatarët e tyre. /tvklan.al