I lidhi një fatkeqësi.. Do prekeni kur të njiheni me historinë e këtyre dy vajzave,

1330
0

Historia e këtyre dy vajzave është një mesazh për të gjithë ata që përbuzin por dhe ata që ndihen të përbuzur që të marrin forcë. Sa prekëse, aq dhe e fortë lidhja e dy vajzave nga fatkeqësia e njërës prej tyre.

Historia e tyre është tejet interesante. Maria Taragjini dhe Loreta Caka janë njohur 6 vite më parë dhe që atëherë nuk janë ndarë nga njëra-tjetra.

Dy shoqet ishin të ftuara sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer shoqërinë e tyre të veçantë.

Maria është një vajzë me aftësi ndryshe, ajo nuk mundet të dëgjojë dhe as të flasë, por sfidon veten çdo ditë për t’u integruar maksimalisht në shoqërinë ku jeton, e cila shpesh edhe e paragjykon.

Në ndihmë i vjen mikesha e saj më e ngushtë, Loreta, e cila prej 6 vitesh nuk ndahet nga Maria dhe ka mësuar edhe gjuhën e shenjave vetëm për t’u miqësuar me të.

“Gjithçka ndodhi kur unë isha vetëm 2-javëshe dhe vëllai im i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor atëherë ishte 6 vjeç. Ndërkohë që unë isha në krevat ai më ka marrë dhe më ka përplasur në dollap. Unë vrava veshin dhe mbeta pa ndjenja. Kur isha 6-muajshe motra ime më thërriste, por unë nuk e dëgjoja. Më pas prindërit më çuan tek doktori dhe ai pasi më vizitoi iu tha se unë nuk mund të dëgjoj dhe as të flas. Më duhej një ndërhyrje ose një aparat, por ishte e vështirë për shkak të gjendjes tonë ekonomike. Kur nisa kopshtin flisja shumë pak, por shoqet e mia më tallnin dhe ngaqë më vinte turp vendosa të mos flas më. Pasi mbarova shkollën për fëmijët me aftësi të kufizuara nisa Liceun, nuk kisha shokë apo shoqe që flisnin dhe dëgjonin. Të gjithë më përbuznin dhe më tallnin dhe unë isha e distancuar. Tani kam vetëm një shoqe që flet dhe quhet Lori”, rrëfeu Maria.

Ndërkohë Loreta tregoi se ato janë njohur bashkë në Liceun Artistik dhe shoqëria e tyre vijon ende. Ajo po ashtu tha se ka qenë shoqja e saj Maria ajo që i ka mësuar të komunikojë në gjuhën e shenjave.

“Unë dhe Maria jemi njohur në Lice, kur unë isha në vit të dytë dhe ajo në vitin e parë. E pashë teksa po rrinte vetëm, iu afrova dhe i shkruajta në telefon se më pëlqente gjuha e saj dhe se doja ta mësoja. Dhe ajo më thotë se mund ta mësoja, por duhet të kisha shumë durim. Maria fillimisht më dha alfabetin dhe më shpjegoi fjalët më të thjeshta. Kur unë mbarova Liceun Maria mendoi se aty do të përfundonte shoqëria jonë, por jo. Unë vazhdoj të flas me të, i shkruaj. Kur Maria kishte provimet e Maturës unë e mora që të jetonte në shtëpinë time dhe kështu ka vijuar shoqëria jonë. Ne do të jemi gjithmonë bashkë”, tha Loreta Caka./tvklan.al