Që Shqipëria është vendi i skandaleve kjo tashmë dihet nga të gjithë. Në Shqipërinë tonë mund të dëgjosh histori nga më çnjerëzoret deri tek më të paimagjinueshmet. E tillë është edhe ajo çfarë po ndodh me Musa Baculin, 15 vjeçarin i cili është ende në reanimacionin e spitalit rajonal të Shkodrës. Për 15 vjeçarin Musa Baculi tashmë Elvis Naçi, hoxha i njohur që bën emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” e ka marrë përsipër si rast për t’i gjetur përmes humanizmit të qytetarëve shumën prej 50 mijë euro që duhet në mënyrë që 15 vjeçari të kurohet në një spital të Genovas në Itali.
Për këtë natyrisht që Musa Baculit i nevojitet pashaporta sepse duhet që të kalojë në një shtet tjetër. Ai nuk e ka pashaportën dhe nëna e tij Afërdita Baculi është interesuar që të pajiset me pasaportë por përgjigja që ajo ka marrë për djalin e tij është më shumë se skandaloze. Tek aplikimi që bëhet tek zyrat e bashkisë nga kompania ALEAT i kanë thënë se ajo duhet që ta sjellë djalin e saj me ambulancë për të aplikuar në një kohë kur është totalisht e pamundur sepse rrezikon jetën. Më pas nëna e Musas ka shkuar tek policia vendore por aty i kanë dhënë një numër celulari të qendrës së kompanisë ALEAT në Tiranë në një kohë kur nëna e 15 vjeçarit e ka të pamundur sepse duhet që të qëndrojë pranë djalit të saj.
Nga ana tjetër sipas ligjit shqiptar në raste të tilla është e parashikuar që punonjësit vetë duhet që të shkojnë në spital ku ndodhet pacienti dhe t’i marrin shenjat e gishtave si dhe t’i bëjnë edhe foton përkatëse. Në fakt kjo nuk ka ndodhur ndërsa punonjësit në vend që të zbatojnë ligjin sorollasin nënën e 15 vjeçarit. Nëse Musa Baculi nuk pajiset me pasaportë atëherë është e pamundur që të bëhet transportimi i tij drejt Italisë në spitalin e Genovas.