Sikurse e shpjegon edhe mjekja, shkaqet e rënies së flokëve janë të shumta dhe pa mjekuar shkakun, nuk ndalohet dot rënia e tyre, pavarësisht trajtimeve të jashtme që mund të bëhen për flokët, si maska apo produkte të tjera kozmetike
Flokët, flokët, flokët, thuhet që gjysma e bukurisë janë ato, sa shumë shqetësohemi kur nuk na rrinë bukur apo kur fillojmë të kemi probleme me to, sikurse kur fillojnë të bien më shumë se normalisht, kur fillojnë dhe hollohen apo kur humbasin shkëlqimin dhe vitalitetin e tyre. Ka me dhjetëra e qindra produkte të cilat reklamohen për përkujdesjen ndaj tyre a janë ato vallë vërtet të efektshme? Në një intervistë për gazetën “Mapo” mjekja dermatologe Ardiana Sinani apelon që përpara se të shkojmë nëpër qendra estetike dhe të trajtojmë këto rënie të kontaktojmë me mjekun dermatolog për të gjetur shkakun. Pasi sikurse e shpjegon edhe mjekja, shkaqet e rënies së flokëve janë të shumta dhe pa mjekuar shkakun, nuk ndalohet dot rënia e tyre, pavarësisht trajtimeve të jashtme që mund të bëhen për flokët, si maska apo produkte të tjera kozmetike. Madje në disa raste dermatologia Sinani shpjegon se rënia e flokëve mund të jetë një ndër sinjalet e para që çon trupi ynë për probleme të tjera shëndetësore, sikurse mund të jetë stresi, deficienca ushqime, infeksionet e deri te probleme me gjëndrat tiroide.
Disa nga patologjitë më të shpeshta të flokëve janë:
Rënia e flokëve në formë difuze (telogen effluvium)
Kur flokët fillojnë të na bien më shumë se normalisht (më shumë se 100 fije në ditë) flokët fillojnë të na rrallohen e të humbasin vitalitetin e tyre, atëherë shkaqet më të shpeshta të kësaj rënieje janë:
Deficiencat ushqimore që vijnë si rezultat i një mënyrë ushqyerje jo të shëndetshme, mungesa e fibrave, vitaminave, mineraleve, që përgjithësisht gjenden në perimet dhe frutat, mbajtja e dietave të forta për periudha të gjata kohe.
Shkaqe endokrinologjike si hypo ose hyper tiroidizmi, postpartum (mbas lindjes së një fëmije, kjo sepse si rezultat i proceseve të shumta mitotike që ndodhin gjatë shtatzënisë flokët gjatë kësaj periudhe nuk bien por pas lindjes të gjitha ato flokë që normalisht duhet të kishin rënë gjatë periudhës së shtatzënisë fillojnë e bien njëherësh rreth 3-4 muaj pas lindjes).
Stresi i madh psikik dhe ai fizik
Anemitë sidomos ato ferriprive (që vijnë si rezultat i marrjes të pakët të hekurit apo humbjes të tij nga organizmi siç janë hemorragjitë e ndryshme).
Infeksionet e përsëritura streptokoksike të fytit, hundës, veshëve etj.
Vendet ku më shpesh vihet re rrallimi i flokëve janë në pjesën e sipërme të kokës dhe anash saj.
E mira është që, përpara se të shkojmë nëpër qendra estetike dhe të trajtojmë këto rënie të kontaktojmë me mjekun dermatolog për të gjetur shkakun e kësaj rënieje të cilat siç u përmendën më lart janë të shumta dhe pa mjekuar shkakun, ne nuk ndalojmë dot rënien e tyre, pavarësisht trajtimeve të jashtme që mund të bëhen për flokët, si maska apo produkte të tjera kozmetike.
Trajtimi i flokëve bëhet i kombinuar me terapi orale (që lufton shkakun) dhe aplikimin e produkteve kozmetike për flokët.
Kujdes duhet treguar me aplikimin pa kriter të këtyre produkteve, larjet shpeshta, përdorimi i procedurave kozmetike si tharjet e shpeshtë me tharëse, aplikimi i produkteve për të shtrirë apo për t’i bërë kaçurrela, ekspozimi për periudha të gjata në diell e thajnë dhe e hollojnë flokun.
Gjithashtu, mjaft e efektshme (gjithmonë pasi është gjetur shkaku i rënies) sot rezulton edhe aplikimi direkt në lëkurën e kokës e solucioneve, multi vitaminave nëpërmjet mesotherapisë apo aplikimi i plasmës së koncentruar me faktorë rritjeje të marrë nga gjaku i vetë pacientit (autohemoterapia autologe).
Alopecia areata
Rënia e flokëve e lokalizuar në formë vatrash (alopecia areata) është një tjetër patologji ku floku bie në formën e vatrave të rrumbullakëta apo ovale. Lëkura në këto vatra duket e shëndetshme por pa flokë.
Kjo formë e rënies të flokëve ka shkak përgjithësisht autoimun, që do të thotë se në mënyrë të paparashikuar vetë trupi ynë krijon antitrupa që shkatërrojnë rrënjën e flokut (folikulin e tij). Në 30% të rasteve shoqërohet me patologji të tjera autoimune siç janë thiroiditet autoimune (sëmundje e gjëndrës tiroide, vitiligo) zbardhja e lëkurës me vatra, anemia pernicioze.
Trajtimi i kësaj patologjie konsiston në injektimin e solucioneve kortizonike në vatrën alopecike me një interval prej 4 javësh, dhe vitaminoterapi.
Alopecia androgjenike
Shpesh themi edhe pse s’ka flokë është njeri fisnik, rënia e flokëve në pjesën ballore të kokës quhet alopecia androgjenike e cila ndodh si rezultat i kombinimit të faktorëve gjenetike me faktorë hormonal (andogjenet), të cilat janë hormone mashkullore dhe veprojnë duke rritur apo shtuar qimet në pjesë të ndryshme të trupit por fatkeqësisht bëjnë që të bien flokët në pjesën ballore të kokës (përgjithësisht te personat që kanë të trashëguar këtë gjë)
Alopecia androgjenike ndodh si te meshkujt edhe te femrat
Te femrat kërkohen ekzaminimet hormonale si testosteroni apo dehydroepiandrosteroni, sepse kjo patologji mund të shoqërohet edhe me shqetësime të tjera si cikël menstrual i çrregullt, infertilitet, acne, virilizëm.
Trajtimi: aplikohet solucion minoxidil, lokalisht 2% dhe 5% në zonën e kokës ku ka rënie flokësh, ndërsa te meshkujt përdoret edhe finasterid 1 mg çdo ditë, mjekime këto që duhen dhënë dhe ndjekur nga mjeku dermatolog.
Alopecia cikatriciale
Alopecia cikatriciale vjen si rezultat i dëmtimeve apo destruksionit të folikulit (rrënjës) së flokut nga procese patologjike inflamatore, si rezultat i të cilave strukturat folikulare kthehen në ind fibrotik. Sa më shpejt të diagnostikohen në fazat e tyre të hershme aq më shpejt parandalohen proceset fibrotike që më vonë bëhen të parikthyeshme. Trajtimi konsiston në aplikimin e pomadave kortizonike dhe injeksioneve me solucione kortizonike nën lëkurën e kokës.
Trichotillomania
Trichotillomania është një patologji që ka të bëjë me një ndjenjë kompulsive për të shkulur flokët dhe ka lidhje me çrregullime kompulsive psikike, këta persona duke realizuar vetë shkuljen flokëve qetësohen nga kjo lloj ndjenje dhe në një farë mënyre shkarkojnë stresin që përjetojnë, flokët në zonat ku shkulen janë të rrallë por duken mjaft folikuj flokësh, gjë e cila të ndihmon të diagnostikosh saktë këtë patologji, zakonisht kjo patologji vihet re tek adoleshentët apo edhe te fëmijët dhe rënia e flokëve në këtë rast nuk ka shkaqe organike, por mbrapa saj fshihet një çrregullim psikik, që mund të vije si rezultat edhe i përjetimit keq të situatave të vështira, mjekimi në këtë rast bëhet në bashkëpunim me mjekun psikiatër.