Lulzim Basha nga spitali shfaqet ‘i përlotur’ para mediave: Jam i tronditur (video)

649
0

Kryeministri ka gjetur kohë të flasë për paketën antishpifje jo njëherë nga dje deri sot por asnjë fjalë për tre të viktimat në Mat, sikur të ishin tre miza.

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka qenë sot në Mat ku ka vizituar familjarët e tre viktimave të sulmit të djeshëm me armë në fshatin Shëlli, të tre punonjës të Bashkisë që ndodheshin në krye të detyrës. Po kështu Basha ka parë në spital edhe të plagosurin e ngjarjes, Astrit Hanin që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kreu i PD iu ka shprehur ngushëllimet familjeve që humbën të dashurit dhe i ka uruar shërim të shpejtë të plagosurit, ndërsa në anën tjetër përshkroi një tablo të errët të gjendjes së vendit për shkak të krimit që sipas tij ka një model.

Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të flasë për këtë tragjedi, të ngushëllojë familjet dhe t’i ofrojë qytetarëve siguri.

DEKLARATA E BASHËS
Së pari dua të shpreh dhe njëherë ngushëllimet e mia për tre familjet matjane që kanë humbur të dashurit e tyre, dy djem të rinj dhe një baba, bashkëshort në këtë ngjarje makabër, në këtë masakër ndërsa ishin në krye të detyrës. Sonte së bashku me kryetarin e bashkisë së Matit, kryetarin e bashkisë së Klosit deputeten Çupi, kryetarin e PD-së kemi qenë për ngushëllim tek familjet e Erzen Alisë, Mentor Hoxhës dhe Hamit Buçit dhe sapo kam vizituar dhe Astrit Hanin i cili për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Burrelit, të cilëve iu shpreh falënderim për kujdesin që kanë treguar për të.

Ngjarja e djeshme ka tronditur jo vetëm Burrelin por gjithë shqiptarët dhe tregon kapitullimin total të shtetit për ballë krimit dhe gjendjen e pasigurisë që mbretëron nga Shëllia në qendër të Tiranës, nga Shkodra në Vlorë. Modeli nga i cili frymëzohen ngjarje të tilla kriminale është ai që duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet nga një model i një qeverisje të përkushtuar, një qeverisje që kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe është pranë tyre në ditë të vështira si kjo sot.

I bëj thirrje kryeministrit ta çkyçë gojën që e përdor vend e pavend me fjalor harbut për çdo gjë, t’i ofrojë ngushëllime tre familjeve, familjarëve të kësaj masakre, t’i ofrojë siguri qytetarëve të Matit dhe gjithë Shqipërisë. Ndonëse jam i bindur se çdo fjalë nga ana e tij nuk mund të zëvendësojë sot ndjenjën e pasigurisë që mbretëron dhe as të ofrojë ngushëllim për dhimbjen e thellë që ndiejnë qytetarët e Matit. Por dua t’i siguroj ata sikundër qytetarët e gjithë Shqipërisë se për mua, PD-në dhe opozitën rivendosja me dorë të hekurt e rendit publik, rikthimi i moralit nga forcat e rendit, kujdesi për jetën e qytetarëve që nga kryefamiljarët, të moshuarit e veçanërisht fëmijët.

Lufta pa kompromis kundër krimit që po drogon fëmijët nëpër shkolla dhe po merr jetë të pafajshme nga mëngjesi deri në darkë është prioriteti ynë numë një. Ligji dhe rendi mund dhe do vendosen me dorë të hekurt por parakusht për këtë është që të kemi një qeveri e cila vjen jo si një rezultat i kompromisit me krimin por si vullnet i hekurt për ta luftuar krimin.

Edhe njëherë dua t’i ofroj ngushëllimet e mia tre familjeve, shërim të shpejtë të lënduarit zotit Hani dhe t’iu jap një mesazh kuraje dhe force qytetarëve të Matit dhe gjithë Shqipërisë për betejën që do ta fitojmë së bashku për largimin e krimit nga politika, për largimin e krimit nga rrugët, nga sheshet dhe nga qeveria për ta çuar atje ku ka vendin para drejtësisë, prapa hekurave.