Zgjidhja e vetme që na ka mbetur, largimi nga Shqipëria, po na p*rdhunojnë e poshtërojnë publikisht

538
0

Artur Zheji shkruan se situata në vend është dramatike, duke iu referuar ngjarjes së fundit të Krujës.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje ka mbetur largimi nga Shqipëria.

“Një jetime e keqtrajtuar, del nga askush – landi shqiptar dhe vendos gishtin mbi plagën e madhe të re, të shoqërisë shqiptare: Arroganca e vrazhdë e njerëzve të veshur me superpushtet lokal.

Ndoshta e keqtrajtuar deri në pikën sa ti drejtohet disa herë Policisë, e cila është e stepur, dhe prokuroria gjithashtu, vetëm sepse djaloshi është djalë i një deputeti të fuqishëm të zonës, që sjell vota dhe ushtron influencën e vet në favor të partisë në pushtet.

Kocka e durimit njerëzor është thyer. Askush nuk mund t’ja ngjisë brinjët e thyera të durimit kafshëror.

Xhisiela është një viktimë e bukurisë së saj, por ndoshta edhe viktimë e vetmisë dhe përdorjes së gjithëanshme, por mbi të gjitha është viktimë e një sistemi që kërkon të mbijetojë mbi gënjeshtrat gjithmonë e më të trasha dhe justifikuse mëkatesh gjithmonë e më poshtruese, ndaj fëmijve të popullit.

Por fëmijët e popullit, janë pa një shtet, që sëpaku të respektojë minimumin e integritetit njerëzor të një pothuajse fëmije të pambrojtur.

Ky është një turp që bie mbi të gjithë ne.

Herët a vonë ky turp, mund të bjerë mbi kokën e çdo familjeje, që nuk ka meshkuj të fortë në përbërjen e saj, ashtu si qindra vite më parë në familjet fisnore, pra shteti, ose nuk është fare ose është në anën e të fortit, dhe pra, nuk mund të quhet në mënyrë të gënjeshtërt shtet, por thjesht një parti-shtet, që mbron në mënyrë abuzive vetëm njërin grup shoqëror.

E pra, kjo sjell reagimin e vetëm:

Largimin nga Shqipëria, si e vetmja zgjidhje e dëshpëruar, për të shpëtuar nga ky rreth vicioz, ku më të dobëtit shkelen me këmbë dhe poshtërohen edhe publikisht.

Përdhunuesit janë ende të lirë, ndërsa të përdhunuarit në bankën e dyshimit dhe të akuzës për dëshmi të rreme…

Ky është një ekstrem i papranueshëm, të cilin duhet ta jetojmë ditë pas dite dhe madje sipas dëshirës së superpushtetit, mundësisht me kokën ulur.

A ka fuqi KM-ja të shkundë zgjedhën që i kanë vendosur mbi qafë, bashkëpunëtorët e vet më të afërt?

Duket tejet e vështirë, shpejt vijnë zgjedhjet dhe votat janë të domosdoshme, votaprurësit, kushdoqofshin, ai apo jo, apo ata, të pistë apo të pastërt, janë të nevojshëm si ingranazhe në makinerinë e pushtetit…”, shkruan Zheji.(TemA)