Revista zvicerane përzgjedh muralen në Urën Vajgurore si 1 nga 10 më të mirat në botë

548
0

Revista prestigjioze zvicerane “Wild Walls” ka përzgjedhur muralen e pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore si një nga 10  më të mirat në botë. Përzgjedhja është njoftuar nga kryeredaktorja e revistës, Angie Kordic, e cila ka publikuar listen e muraleve të pikturuara gjatë muajit gusht 2018 në të gjithë botën. Kjo është një traditë, e cila vazhdon prej 14 vitesh për revistën “Wild Walls”, dhe në numrin e 169 të saj, në hartën botërore të muraleve me te mira, ka përzgjedhur edhe një qytet nga Shqipëria, pikerisht qytezen e vogel te Ures Vajgurore.

Shqipëria renditet krah Kalifornisë, Austrisë, Norvegjisë, Masaçusets, Ilinoisit, Italisë dhe Bjellorusisë. “Vepra ‘Flirtimi’ është muralja e tretë e pikturuar nga WD (Wild Drawing) në qytetin e Urës Vajgurore në Shqipëri. Piktura vjen si një shembull i përkryer i përdorimit të hapësirës. Në murale shikohet një çift, te cilet veshtrojne njëri-tjetrin nga te dyja anët e pallatit, duke i dhene jete nje iluzioni te bukur”, thuhet në shkrimin e revistës “Wild Walls”.

Flirtimi” (The flirt), “Kampioni” (The Champion) dhe “Ura e Mendjes” (Bridge of mind) janë tre muralet që janë pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore nga artisti i njohur me famë ndërkombëtare WD.  “Ai eshte një nga artistët më të talentuar të skenës së artit bashkëkohor në Greqi. WD është një artist indonezian me banim në Athinë, i njohur gjerësisht për muralet e tij foto-realiste që shpesh adresojnë çështjet aktuale ekonomike, politike dhe sociale në terma vendorë dhe globalë. Kurrë nuk ka frikë të flasë dhe të shprehë mendimet e veta. Ai është i pasionuar për krijimin e pjesëve të guximshme dhe të provokimit të mendimeve që rrisin ndërgjegjësimin për disa prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet bota jonë sot. Midis punës së ngarkuar në mënyrë shoqërore, ai gjithashtu krijon murale të frymëzuara nga natyra, komike, romane grafike dhe karaktere të Disney”, thuhet në përshkrimin që revista zvicerane “Wild Walls” bën për artistin.

Tre muralet janë kuruar nga artisti i njohur shqiptar, Helidon Haliti, me mbështetjen e Bashkisë Ura Vajgurore.