“Enveri masakroi popullin për të ruajtur karrigen, nëse s’do ishte ai ne do ishim një Zvicër në Ballkan”

1176
0

Nga Ilir Hoxholli

Po më thoni se Enveri pati të këqia dhe të mira? Do të thoja nëse Fuqitë e Mëdha do na përcaktonin pjesë të demokracive perëndimore a do ishim sot kështu?

Sot, mund të ishim një Zvicër në Ballkan, e ndërsa Enveri ndërtoi bunkere, zhvilloi luftën e klasave, ndaloi besimin në Zot, pronën private, e imagjinoni dot bregdetin, qytetet nën kujdesin dhe frymën perëndimore? Do kishim liri, mirëqënie, do të kishim gjithçka.

Zhduku analfabetizmin, po, do ndodhte siç ka ndodhur kudo në demokracitë perëndimore të pasluftës, por do i kishim të gjithë ata intelektualë që i vrau, pse dinin më shumë se ai. I vrau e familjet ua internoi të gjithëve.

O njerëz, Enverin krahasojeni me liritë dhe mirëqenien e bllokut lindor, askush nuk e masakroi popullin e tij më shumë se ky diktator, askush nuk e mashtroi me pushtimin nga superfuqitë, thjesht ruajti karrigen e tij.

Ajo që ju duket bukur në atë kohë ishte se ishim të gjithë të varfër, nuk kishim lakmi dhe xhelozi mes mesh, përveç atyre që për pak karrierë masakruan fqinjin për një fjalë që nuk e tha, për pak pushime me mirë se të tjerët në kavalishence, burgosi farefisin, ua la fëmijët jetimë.

Ja ky ishte Enveri, e di që disave nuk do t’u pëlqejë ky shkrim, por atë që Zoti e ka mallkuar si Faraonin, unë nuk mund të ndjej asnjë pikë mirësie, fundja një “Zot” që vdes nuk është asgjë, ndaj mos m’i tregoni të mirat e tij, kur lotët e të afërmëve të viktimave nuk gjejnë varret të vendosin një tufë me lule, histori e mbushur me dhimbje e lot… Rrnoi At Zef Pllumbi për me tregue, po a ka kush me lexue…