Amaneti i Teodor Kekos për djemtë: I thoni mamit të martohet se është e re

683
0

Një rrëfim të rrallë për bashkëshortin e saj vjen nga Xhuli, gruaja e Teodor Kekos, ndërsa ajo tregon amanetin e tij. Ndërsa ka folur për gazetën Panorama, Xhuli ngeli vetëm, me dy djemtë, kur ishte vetëm 42 vjeç. Nga ajo kohë, ka kaluar një jetë tjetër, që ajo e konsideron si të tretën. E para ka qenë me familjen, e dyta me Dorin dhe jeta e tretë pa Dorin! Me amanetin që Keko i kishte lënë djalit të vogël, Elios, “Përpiqu të shkosh edhe ti në Holandë, te Martini, sepse mami është e re dhe duhet të martohet”, vetëm sa qeshi. Jo se nuk e mendoi asnjëherë… Ka nevojë edhe ajo që të dielën në mëngjes të jetë dikush pranë saj, të flasë ose jo, por ta dijë që po bën kafe për dy! Do ta kishte gjetur, me siguri, sikur mos të kishte dy kushte; burri që do të vinte t’i ngjante Dorit dhe babait të saj.

ANI JAUPAJ/ Sot, në ditën që do të ishte ditëlindja e 60-të e Teodor Kekos, kjo është jeta e Xhulit! U takuam për të folur për Dorin, por, a nuk flet ç’ka ngelur për atë që ka qenë?! A nuk njihet dikush më mirë, prej marrëdhënies me dikë tjetër? Dhe jo vetëm me Xhulin. Me fëmijët, me prindërit, me miqtë… Dori ishte përherë mes të gjithëve. Shtëpia e tyre nuk ishte asnjëherë vetëm me ata të katërt e nëse aty nuk kishte më vend për të gjithë, zbrisnin te kafe “Europa”. Kështu ka qenë me të dy që në fillim. Sa kaloi viti i parë i universitetit ku studiuan të dy për Gjuhë Letërsi, u takuan pas një bisede të shkurtër në telefon (Xhuli e mban ende mend numrin e parë të Dorit dhe çdo datë a shifër tjetër që lidhet me të) dhe u puthën pa folur fare, mu në qendër të qytetit. Ishin vitet ’80 dhe asnjëri prej të dyve nuk e ktheu kokën nga koha, por luanin gojët me frymëmarrje të shkurtra dhe qeshnin me vitin e shkuar (dëm) kur secili interpretonte në vetmi ajrin që dendësohej kur rastësisht u afroheshin duart.

Prej kësaj puthjeje të madhe, ata ishin bashkë në të gjithë qytetin. Në ato pak kafene që ishin, por që dukeshin sikur zgjeroheshin në të gjithë qytetin. Me Xhulin u takuam te ’15 katëshi’. Sapo u hap hoteli i ri, ata rrinin aty gjithë kohës. “Dori i kishte shumë qejf lokalet, por atëherë kishte pak dhe rrinim pothuajse gjithnjë te të njëjtët”. Xhuli edhe sot shkon ende aty ku kishte qejf të shkonte Dori. Me të mbërritur në Tiranë, shkon në varreza për të lënë karafilat e saj në varrin e tij. Ai i sillte gjithnjë karafila, sa herë ziheshin, bashkë me një copë të vogël letre ku shkruante ato që vetëm ai mundej të shkruante. Letrat e Dorit drejtuar Xhulit janë të vetmet që ajo nuk ka dashur të ndajë, ende jo, me askënd. I kalon e i vërtit nëpër mend e duar sa herë. Ka shkuar deri në prag të botimit, pastaj zmbrapset. “Janë gjëra të miat, të të dyve, që na përkasin vetëm ne, nuk e kam të lehtë t’i ndaj me të tjerët, megjithatë, bashkë me letrat që unë i kam shkruar atij në gjithë këto vite mungese të gjatë, shpresoj që së shpejti t’i botoj”, thotë Xhuli bashkë me një dyshim që s’i shqitet syve.

Jo dyshime nga ato që po mendoni! Ato i kanë zbutur vitet. Kanë mbetur vetëm (thuajse) gjërat e bukura dhe ca pendesa që do t’i kishte çdokush. Dyshimin e fundit e vrau me gjumin 16 vite më parë, kur shkoi në varreza, pak ditë pas vdekjes së të shoqit dhe i thanë se një grua kishte shkuar të linte lule në varrin e Dorit. Nuk fjeti një javë! Se kush kishte qenë e zbuloi vetëm rastësisht, kur më në fund e nxori dyshimin nga kraharori dhe e ndau me të tjerët. “Një shoqe e Dorit nuk kishte qenë në Shqipëri kur ai u varros dhe kishte shkuar më vonë. Mirëpo, kaloi një javë përpara se unë ta mësoja kush ishte dhe…”, -thotë Xhuli duke qeshur. Atëherë nuk qeshte! Kur Dori e kalonte orën, harronte të kthehej në shtëpi (nuk harronte të blinte karafila në çdo orë që të kthehej) shijonte verë, fliste me miq e gjurmonte personazhin e radhës, duheshin ca ditë përpara se Xhuli të kthehej në gjendje neutrale. Po të ishte edhe ajo poete, mbase do ta kishte kuptuar më mirë, por nuk ishte dhe nuk donte të ishte. Donte vetëm ta donte. Mbase donte ta donte pak më shumë se ç’duhej, por kështu ishte! Donte ta kishte aty, ta shihte.

Kur Dori kalonte orë të tëra te kafe “Europa”, duke shkruar a duke takuar njerëz, Xhuli rrinte në tavolinën e qoshes tjetër. S’ka gjë që s’flisnin, ishin të dy aty dhe kurdo që Xhuli të kthente kokën, mund ta shihte. Në fillim gjendjet që nëpër lexime ngjajnë si poetike mund të jenë edhe të bukura, por pastaj rëndohen. Të dyja palët, me gjithë përpjekjen, vrenjten nga obsesioni. “Kur linda djalin e dytë, Elion, kam ndenjur në maternitet vetëm pak orë. Doja të ikja menjëherë, të dilja, doja të shihja ku ishte Dori, çfarë po bënte”. Xhuli nuk është penduar për mënyrën si e ka jetuar! Po, është e bindur që mund të ‘sillej më mirë’, e di që ashtu duhej, por nuk do ta bënte dot. Sikur sot të kthehej 35 vite më parë, do ta donte njësoj, me urinë që hera-herës e shkatërroi. “Tashmë unë isha bërë nënë, kisha dy djem, shkoja në punë, duhet të bëja edhe gjithë gjërat që duheshin bërë në shtëpi, nuk kisha mundësi që të rrija me Dorin si më parë dhe kjo nuk krijonte gjithmonë situata të pëlqyeshme”. Jo se Xhuli e pëlqente aq sa i shoqi jetën e kafeneve. Do zgjidhte të rrinte në shtëpi, do kishte ritme të tjera, nëse Dori nuk do ishte bohemi që të gjithë njihnin. Mirëpo, nëse Dori do të ishte ndryshe, as ajo nuk do ta donte sa e deshi!

Por sot, ditën që Dori do të ishte 60 vjeç nëse do të ishte gjallë, nuk do të kishte neurone të shfrenuara si më parë. Ata të dy do të ishin pranë Teos, në një të diel me kafe e briosh të ngrohtë. Elio, djali i vogël, prej 9 muajsh është bërë me djalë dhe i ka vënë emrin Teodor. Xhuli ka rilindur! Pret fundjavat të kalojë ca orë me të! “Ne nuk i kemi shijuar fëmijët tanë kaq sa i shijojnë çiftet sot. Mbase nuk dinim, mbase nuk kishim mundësi sepse bënim gjithçka vetë. Sot shoh Teon në sy dhe përpiqem të kujtoj mimika të fëmijëve të mi në moshën e tij. Nuk më kujtohet asgjë!”. Mirëpo, Xhuli nuk harron asnjë mimikë të Dorit. E gjen ende veten duke analizuar rrethana a fjalë që do ishin harruar. Kupton edhe gjëra që atëherë nuk mundej. “Më vjen keq që nuk dita ta shijoja pak më shumë. Pak për fajin tim e pak për të tijin, marrëdhënia ndoshta ishte më shumë dashuri zënke nga ç’duhet të kishte qenë”, por pastaj qesh sepse kujton Dorin se si pas lajmit, se nuk kishte më edhe shumë jetë, mendimi i parë që pati ishte t’i blinte Xhulit një fustan të ri.

SËMUNDJA E PARALAJMËRUAR/ Dori gjithmonë ka vuajtur nga stomaku. Nuk e mbaj mend asnjëherë që të mos ketë vuajtur. Kishte një ulçer që iu agravua me kalimin e viteve e ai vetë ka qenë i pakujdesshëm. Merrte ilaçe aty për aty, por nuk kontrollohej. Mbase kjo ishte një nga arsyet që Dori nuk është më mes nesh. Kur konstatuam sëmundjen, ajo kishte kaluar në mëlçi dhe nuk kishte asnjë kthim pas. Ishte këshilltar i Kryeministrit Meta kur dhimbjet e stomakut iu shtuan së tepërmi. Miku i tij, Vasillaq Kureta, e çon në spital dhe doktori ia kishte thënë se nuk ishte mirë. U kthye në shtëpi dhe si Dori, që i kalonte lehtë gjërat më thotë: Kisha ca njolla në mëlçi, po nuk është gjë. Pasdite më thërrasin në kafe dy mikeshat e mia, Flora dhe Zana Nikolla. Zana ishte doktoreshë dhe kishte qenë gjatë kontrollit në spital të Dorit. Ajo më tregoi se nuk ishte mirë dhe sëmundja ishte e rëndë. Të nesërmen kam shkuar në punë, e paqartë për atë që po ndodhte. Më thërret ministri i Shëndetësisë, zoti Leonard Solis, dhe më tha të vërtetën se si qëndronte puna.

Të pasnesërmen jemi nisur në Greqi, doktor Solis ka qenë i mrekullueshëm, na ndihmoi shumë dhe me urgjencë filluan analizat. U konstatua shumë shpejt që kanceri ishte metastatik dhe nuk kishte shpëtim. Mjekja në spitalin e Selanikut më thirri dhe më tregoi të vërtetën: Nuk duhet të shpresosh, nëse sëmundja bashkëpunon me ne, ka vetëm një vit jetë. Në kokë të vijnë shumë gjëra. Nuk ishte vetëm humbja e Dorit. Ishin edhe fëmijët që duhet të rriteshin dhe të tregohem akoma më e sinqertë, mendova se Dori në atë periudhë ishte në momentin e pjekurisë si shkrimtar. Më vinte shumë keq që po ikte në atë moment. Ishte një humbje e madhe që ai nuk do të mund të shkruante më. Ai shkroi gjatë gjithë vitit të mbetur, por mendoi për të ardhmen. Atëherë e kam kuptuar se kishte ardhur një moment pjekurie në letërsinë e Dorit.

t’ia fshihja sadopak realitetin, por sigurisht që Dori e mori vesh. Kur dikush bën kimioterapi e hyn 7 orë në operacion, e kupton se çfarë sëmundje ishte. Asnjëherë nuk e dha veten. Gjithmonë e trajtoi atë si “Dori i vogël, me një kancer të vogël”…Po të lexosh të plotë letrën amanet që i ka lënë Elios në janar, para se të hynte në operacion, e kupton se ai ishte koshient për gjithë sa po ndodhte. Pasi kam lexuar atë letër, mendoj se kam rënë për herë të dytë në dashuri me të sepse ka lënë amanete kaq të bukura, ishte kaq qytetar…nuk e di, nuk besoj se ndokush mund të shkruante ashtu. Martini në atë kohë studionte në Holandë, Dori shkoi e takoi dhe me Martinin foli ballazi. Ndërsa Elio ishte shumë i vogël dhe ai nuk e bënte dot me të atë bisedë që kishte bërë me Martinin. Ndaj, zgjidhja që bëri Dori ishte lënia në një letër e të gjitha gjërave që do të donte t’i thoshte djalit të vogël.

HOLANDA

Ne ishim të gjithë në Holandë. Unë kisha filluar punën në ambasadë. Kishim 12 ditë që i kaluam së bashku, kur unë u vendosa aty pasi fillova punën në ambasadë. Ishte hera e parë që Dori po udhëtonte pa mua. Por atje, në Selanik, ishte Stiliani dhe ishte një mik i yni i mrekullueshëm. Nuk e di pse e lashë vetëm. Më vjen shumë keq. Atë natë, një ditë para se të nisej, dolëm, shëtitëm, hëngrëm nga një picë dhe në mëngjes Dori ishte shumë në formë kur unë e përcolla në aeroport. Pasi arriti në Greqi, më mori në telefon e më tha se kishte mbërritur mirë e se do të shkonte të pinte një kafe me Stilianin e më pas do nisej drejt spitalit. Mundohej gjithmonë ta shtynte orën e vajtjes në spital. Në ecejaket tona njëvjeçare drejt Selanikut, më kujtohet se kalonim anës spitalit. Më thoshte: më duket sikur ky spital është arkivoli, të lutem kur të kalojmë, më thuaj.

Gjithmonë donte ta shtynte kontaktin e tij me spitalin, edhe pse kishte shumë besim te mjekja që e trajtoi. Me të pati një lidhje shumë të veçantë dhe kam përshtypjen që edhe shpresoi shumë. Ishte koshient për atë që po ndodhte. Por nëse të mbaron shpresa, atëherë ke mbaruar. Por se çfarë ndjente përbrenda, dua të jem shumë e sinqertë, asnjëherë nuk e mora vesh, sepse që të dy, në një farë mënyre, ‘gënjenim’ njëri-tjetrin. Unë që mundohesha ta fshihja realitetin dhe ai që ndonjëherë më gjente duke qarë dhe më thoshte: “Mos u mërzit, unë nuk do vdes, sepse nuk dua të të lë, sepse e di që do ta kesh shumë të vështirë në këtë jetë, shumë vështirë me fëmijët”. Dhe sinqerisht gjithmonë më thoshte: “Po ti ke miqtë e mi që nuk do të lënë vetëm”. Dhe realisht janë miqtë e Dorit, që më janë gjendur gjithmonë pranë.