‘I forti’ i Laçit kërcënon gazetarin, habit shefi i komisariatit: Jam me leje, bëji të fala!

769
0

Pas shpërthimit të tritolit pranë një lokali në lagjen nr.4 të Laçit, që tronditi qytetin gjatë natës, një zhvillim tjetër tronditës e ka pasuar atë: Pronari i lokalit, Llesh Buraku, 53-vjeç, ka kërcënuar me jetë një nga gazetarët që po raportonte lajmin, Julian Shotën, duke i vënë pistoletën në kokë dhe duke i thënë: Mos filmo! Pas kësaj, edhe më interesant ka qënë reagimi i shefit të komisariatit të Laçit, Erdit Rreçekut.

Ja si e ka përshkruar ngjarjen “Report Tv”, për gazetarin: “Julian Shota, kërcënohet me jetë në krye të detyrës. Shota, sëbashku me ekipin e xhirimit të Report Tv, mbërriti në vendin e ngjarjes për raportimin e shpërthimin e një sasie tritoli në ambientet e një biznesi bar-kafe, në lagjen nr.4 të qytetit të Laçit. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit të kësaj të hëne. Tritoli është vendosur tek hyrja e lokalit në pronësi të Llesh Burakut, 53 vjeç, banues në Laç. Nga shpërthimi i tritolit nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Kliko per me shume info

Në vendin e ngjarjes shkoi edhe një ekip xhirimi i Report Tv për raportimin e asaj çfarë kishte ndodhur, por ata hasën në rezistencën e Burakut, pronar i lokalit. Fillimisht 53-vjeçari ka filmuar me telefon automjetin e gazetarit të Report Tv, Julian Shota, duke i kërcënuar se nëse transmetojnë ngjarjen në televizion do kenë punë me të. Sipas Burakut, as policia nuk do ta bënte publike ngjarjen.

Si të mos mjaftonte kjo, Llesh Buraku ka nxjerrë edhe një armë zjarri tip pistoletë, të cilën ia ka drejtuar gazetarit Shota, duke e kërcënuar me jetë. Në atë moment kanë ndërhyrë disa të afërm të 53-vjeçarit, duke i bllokuar krahun për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës. Nën kërcënimin e armës, Buraku ka kërkuar që t’i dorëzojnë edhe telefonat.

Në vendin e ngjarjes nuk ka pasur asnjë efektiv policie, ndërsa shefi i komisariatit të Laçit, Erdit Rreçeku, i kontaktuar nga gazetarët për ngjarjen e rëndë, është përgjigjur se ndodhet me pushime. “Jam me leje. Të fala”, ka qenë përgjigjia e kreut të policisë së Kurbinit.

Llesh Buraku është një personazh i njohur për policinë. Tre vite më parë ai u arrestua pasi dhunoi një inspektor të Inspektoratit të Shëndetit Publik, gjatë inspektimit në lokalin e tij. ”

Komisriati i Kurbinit ndërkohë njoftoi për shpërthimin: “Më datë 3.09.2018, rreth orës 2:00, në lagjen Nr.4 në Laç, në derën e jashtme të lokalit ” Bar-Kafe” në pronesi të shtetasit Ll.B. vjeç 53, ka shpërthyer një sasi lëndë eksplozive, ku si pasojë ka vetëm dëme materiale.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet proçedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale ” Shkatërrim prone me eksploziv” parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.”